1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sida dhe të infektuarit me HIV në Shqipëri

Ejona Havari2 Dhjetor 2013

Intervistë me Drejtorin e Përgjithshëm të Institutit të Shëndetit Publik të Shqipërisë, Arjan Bregu

https://p.dw.com/p/1ARU8
Fotografi: picture-alliance/dpa

DW: Shqipëria duket se po përballet me një situatë gjithnjë e më shumë problematike përsa i përket përhapjes së HIV/AIDS. Numri i të prekurve sa vjen e rritet. Jemi gati në fund të vitit 2013, sa ka arritur sipas statistikave numri i të prekurve nga kjo sëmundje në Shqipëri, zoti Bregu? Në raport me vendet e tjera në rajon, si paraqitet Shqipëria?

Arjan Bregu: Kanë kaluar 20 vite që nga diagnostikimi i rastit të pare të infektuar me virusin HIV në Shqipëri, pra në vitin 1993. Unë mund të them se duke u bazuar në të dhënat statistikore që ne kemi, Shqipëria vijon të mbetet një vend me prevalencë të ulët të infeksionit HIV. Numri total i personave të infektuar me HIV në Shqipëri, deri në nëntor të këtij viti, është 671, ku 70% e tyre, pra 469 raste, janë meshkuj dhe 30%, pra 202 raste, janë femra. Nga ana tjetër, ndonëse prevalenca, siç e thashë me lart e infeksionit HIV, në Shqipëri është e ulët, vihet re një tendencë në rritje e numrit të rasteve të reja të diagnostikuara në vitet e fundit. Viti 2013 shënon dhe numrin më të lartë të rasteve të reja të diagnostikuar në vite. Numri i personave që kanë rezultuar të infektuar me virusin HIV për vitin 2013 është 96, nga të cilët 66 janë meshkuj dhe 30 femra. Ndërsa për sa i përket pyetjes tuaj që si paraqitet Shqipëria në raport me vendet e tjera të rajonit mund t'ju them se duke u krahasuar me vende si Maqedonia, Mali i Zi apo edhe Kosova, Shqipëria regjistron një numër më të lartë të rasteve me infeksionin HIV, por më të ulet se sa vendet e tjera të rajonit si Serbia dhe Greqia.

Arben Bregu
Arjan Bregu - Drejtori i ISHPFotografi: DW/M. Cika-Kelmendi

Zoti Bregu, cilat janë shkaqet kryesore që favorizojnë përhapjen e virusit HIV në Shqipëri? A është në masën e duhur sensibilizimi për masat kontraceptiv, veçanërisht tek të rinjtë?

Sipas të dhënave kumulative, që përfshijnë periudhën nga viti 1993 deri në vitin 2013, që nga momenti i zbulimit i rastit të parë të statusit HIV pozitiv të personit, rruga seksuale e transmetimit të virusit HIV vazhdon të jetë mbizotëruese në vendin tonë dhe është përgjegjëse për 93% të rasteve, nga të cilët heteroseksuale janë 84% dhe homo –biseksuale janë 9%. Sa i takon grupmoshës, mund të them se infeksioni haset më shpesh në atë seksualisht aktive 25-45 vjeç, që përbën 62.1% të totalit të rasteve me HIV/AIDS. Të dhënat e mësipërme tregojnë që në shumicën e rasteve transmetimi i virusit HIV shkaktohet nga marrëdhënie seksuale të pambrojtura. Ndonëse janë organizuar fushata sensibilizuese, programe të ndryshimit të sjelljeve dhe në mënyrë të veçantë te të rinjtë, mund të them se ende përdorimi i masave mbrojtëse si kondomi mbetet në nivele të ulëta. Ndonëse sot funksionojnë qendra të Këshillimit dhe Testimit Vullnetar Konfidencial (VCT), që bëjnë të mundur ofrimin e shërbimeve të testimit dhe këshillimit për virusin HIV dhe infeksioneve të tjera që transmetohen me rrugë seksuale, si dhe rritjes se përvitshme të numrit të testimeve, përsëri numri i personave të testuar mbetet i ulët. Nuk është e rastit që më shumë se 55% e rasteve për vitin 2013 janë diagnostikuar në stadin AIDS, çka tregon që këta persona paraqiten pas një kohe të gjatë nga infektimi me virusin HIV. Prandaj ne jemi të vetëdijshëm që është e domosdoshme që të punohet më shumë në drejtim të ndërgjegjësimit të popullatës në lidhje me testimin për infeksion HIV.

Zoti Bregu, a ka një program konkret për parandalimin e Sidës, ose atyre që janë të infektuar me virusin Hiv nga shteti?

Hartimi dhe zbatimi i programeve të përshtatshëm parandaluese është bërë në përputhje me Strategjinë Kombëtare për Parandalimin dhe Kontrollin e HIV/AIDS në Shqipëri. Që prej vitit 1998 është ngritur dhe funksionon Programi Kombëtar HIV/AIDS, i vendosur pranë Institutit të Shëndetit Publik me synim koordinimin e përgjigjes kombëtare ndaj HIV/AIDS. Përgjigja ndaj HIV / AIDS është fokusuar në parandalimin si dhe në kujdesin, mbështetjen dhe trajtimin e personave që jetojnë me HIV/AIDS . Me mbështetjen e Fondit Global kundër AIDS , tuberkulozit dhe Malaries (GFATM) është bërë e mundur zbatimi i ndërhyrjeve me synim parandalimin e infeksionit HIV te grupet vulnerabël; Përdoruesit e Drogave me Injektim; meshkujt homoseksualë; popullata rome si dhe fuqizimi i ndërhyrjeve për mbrojtjen e interesave të personave që jetojnë me HIV/AIDS dhe për luftën kundër diskriminimit të tyre. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar dhe trajtimit të personave të infektuar me infeksion HIV. Që prej vitit 2004, mjekimi me medikamente ARV u ofrohet falas personave që jetojnë me HIV/AIDS në Shqipëri, dhe deri në nëntor të vitit 2013, numri i personave të trajtuar me këtë terapi është 312, nga të cilët 20 janë fëmijë dhe 292 janë të rritur.

A ndjehen njerëzit e infektuar me HIV ose që kanë Sidë të diskriminuar në Shqipëri? A janë të përfshire ata në jetën aktive apo mbeten të izoluar për shkak të opinionit? Sipas mediave Sida në Shqipëri, më tepër se një çështje e shërbimeve shëndetësore, është çështje sociale.

Unë dua të theksoj se janë bërë përpjekje maksimale dhe të veçanta për mbrojtjen e të drejtave të personave që jetojnë me HIV/AIDS në Shqipëri. Ligji për HIV/AIDS i miratuar që prej vitit 2008 trajton aspektet juridike më të rëndësishme të HIV/AIDS, përfshirë diskriminimin, të drejtën për mbajtjen e vendit të punës, dhënien e pëlqimit për marrjen e informacioneve, ruajtjen e informacionit të rezervuar, trajtimin falas, si edhe një mekanizëm për ankesat. Ndonëse kemi arritje sa i takon aspekteve të kuadrit ligjor dhe trajtimit të këtyre personave, ende fenomenet e stigmes dhe diskriminimit përbejnë një problematikë të theksuar. Për sa i përket AIDS dhe personave që jetojnë me HIV/AIDS ekziston të paktën perceptimi i mungesës të konfidencialitetit, si dhe prania e stigmes, diskriminimit dhe mospranimit në të gjitha nivelet e shoqërisë. Një situate e tille do të thotë se individët dhe familjet tentojnë të mos flasin për HIV/AIDS. Mungesa e njohurive dhe ndjenja e mosbesimit apo apatia që rrethon HIV/AIDS janë dukuri që pengojnë diskutimin e këtij problemi. Vlerësojmë si shumë të rëndësishëm dhe të suksesshëm bashkëpunimin dhe mbështetjen e dhëne ndaj Shoqatës së personave që jetojnë me HIV/AIDS, si një zë mjaft i fortë dhe me një rol shumë të rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave të këtyre personave.