Aktakuzë kundër Trumpit?
21 Mars 2023Një grup i vogël i mbështetësve të ish-presidentit të SHBA-së Donald Trump kanë protestuar me flamuj dhe parulla përpara gjykatës në Manhatan. Numri i ekipeve me kamera televizive dhe i gazetarëve ishte shumë më i madh se grupi i protestuesve.
Barrikadat e ngritura përpara ndërtesës ishin një sinjal i qartë se aktakuza kundër Trumpit është e pashmangshme, thotë Harry Litman, ish-ndihmës i Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA-së në televizionin MSNBC - pavarësisht përpjekjeve të mëdha të avokatëve të Trumpit që ta bindin prokurorin e Nju Jorkut, Alvin Bragg, që kjo të mos ndodhë.
Aktakuza po vjen!
Do të ishte kjo aktakuza e parë në historinë e SHBA-së kundër një ish-presidenti. Jo për shkak të një hapi të gabuar, por për shkak të një tentative për fshehjen e fakteve. Thuhet se kur Trump ishte ende një yll i spektakleve reality, ai kishte pasur një lidhje me një aktore nga skena e pornografisë në vitin 2006. Kështu pretendon gruaja me emrin skenik Stormy Daniels. Trump i ka mohuar këto të dhëna si të pavërteta. Thuhet po ashtu se kur Trump kandidoi për president dhjetë vjet më vonë, ai i kishte paguar Stormy Daniels 130.000 dollarë për të heshtur lidhur me këtë aferë. Këto para janë dorëzuar nga avokati i tij i atëhershëm, që tani është një ndër kritikët e Trumpit, Michael Cohen. Ai ka dëshmuar ndërkohë para dymbëdhjetë gjykatësve të gjykatës së Nju Jorkut: "Gjithçka që kam thënë deri tani është e saktë dhe këtë e vërtetojnë edhe të tjerët. Këtë e vërtetojnë edhe dokumentet ekzistuese".
Thirrja për protesta
Ish-presidenti Trump pret arrestimin e tij të shpejtë, me shpjegimin se kundërshtarët duan të pamundësojnë kandidaturën e tij në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Por tani duhet të dëshmohet se si ka ndodhur ngjarja, si është bërë pagesa.
Pagesa e parave për të heshtur në është antiligjore në SHBA. Por vepra penale e pandehur është se shuma nuk është deklaruar në bilancet e Trumpit, thotë ish-prokurori, Matthew Galluzzo.
"Aspekti më i rëndësishëm për hetuesit është pse shuma është deklaruar gabimisht - jo si para për të heshtur, por si një shpenzim tjetër për organizatën e Trumpit. E kjo mund të jetë një shkelje e vogël ligjore, por edhe ndonjë vepër penale." Mund të trajtohet edhe si vepër për të cilën Trump do të mund të shkonte në burg për disa vjet, thonë ekspertët juridikë në gazetën "New York Times”. Burimet thonë se aktakuza do të bazohet në faktin, se Trump përdori paratë si një donacion të paligjshëm për fushatën. Nëse ka vepruar kështu, kjo do të thotë se ka shkelur ligjet për financimin e fushatës.
Trump ka ftuar mbështetësit e tij që të protestojnë, por në protestën e parë kanë marrë pjesë pak vetë. Ndërsa avokatët e Trumpit thonë, se do të ishte tërësisht e pazakonshme që një ish-president të akuzohet për vepra të tilla. Vetë Trumpi ka vazhduar sulmet ndaj prokurorit Alvin Bragg duke e quajtur: "Tirani i përkushtuar që politizoi sistemin e drejtësisë”. Bragg është një "aktivist" i krahut të majtë që "kaherë ka vënë në shënjestër Trumpin". Parta gjykatës një republikan i ri paralajmëroi se sot atje mund të ketë kaos.