1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A mund të ndalet Banka Qendrore Europiane juridikisht?

Daphne Grathwohl/Elert Ajazaj10 Shtator 2012

Në Gjermani planet e ECB-së për të blerë në sasi të pakufizuar obligacione shtetërore hasin kritikë. Edhe vajtja në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë është në diskutim. Megjithatë, kjo nuk do të ishte aspak e lehtë.

https://p.dw.com/p/1660l
Fotografi: Johannes Eisele/AFP/GettyImages

Politikanë të partive qeveritare po diskutojnë publikisht mbi një padi kundër Bankës Qendrore Evropiane (ECB). Politikani kristiansocial dhe kritikues i politikës evropiane Peter Gauweiler e pati thirrur për ndihmë disa herë Gjykatën Kushtetuese Gjermane në luftën e vet kundër fondit për shpëtimin e euros EFSF dhe ESM. Në fundjavë ai dorëzoi një tjetër kërkesë urgjente, për të ndaluar blerjen e pakufizuar të obligacioneve shtetërore të vendeve të eurozonës në krizë. Dhe këtu Gauweiler ka vënë sërish në shënjestër ESM-në, me qëllimin për të ndalur ECB-në.

Qytetarët nuk kanë gati kurrfarë mundësie juridike

Parimisht kundër veprimeve të ECB-së mund të ngrihet padi për zhvleftësim pranë Gjykatës Evropiane në Luksemburg. Këtë e thotë neni 263 i marrëveshjes mbi metodën e punës së BE-së (traktatet e BE-së).

Megjithatë, qytetarët dhe shoqatat (pra për shembull organizatat joqeveritare) e kanë këtë të drejtë vetëm në raste të caktuara. Fillimisht duhet të ketë vepruar njëherë ECB-ja, pra duhet të ekzistojë nga jashtë një akt ligjor me efekt detyrues. Për shembull, kundër rekomandimeve dhe qëndrimeve të ECB-së nuk lejohet të ngrihen padi.

Peter Gauweiler, kundërshtar i vendimeve të ECB-së
Peter Gauweiler, kundërshtar i vendimeve të ECB-sëFotografi: picture-alliance/dpa

Kush është i prekur drejtpërdrejt?

Padia e një individi është nga njëra anë atëherë e mundur kur veprimi, kundër të cilit drejtohet paditësi, drejtohet kundër atij vetë (neni 263 paragrafi 4 i traktateve të BE-së) ose e prek atë drejtpërdrejt a individualisht. Kjo do të thotë se veprimi duhet të ketë pasoja direkte mbi paditësin dhe pozicionin juridik, dhe ta "veçojë atë nga rrethi i personave të tjerë për shkak të rrethanave faktike".

Kjo trajtohet prej kohësh në mënyrë shumë restriktive nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë, ndryshe për shembull nga mundësitë për t'iu drejtuar kundër Marrëveshjeve Evropiane Gjykatës Kushtetuese Gjermane, shpjegon profesori i së drejtës evropiane Franz Mayer i Universitetit të Bielefeld-it. Veçohet apo jo veçarisht në të prekur një individ prej planeve të ECB-së, kjo shoqërohet nga një pikëpyetje e madhe.

Një shtetas mund të ngrejë padi gjithashtu kur veprimi është një akt ligjor me karakter urdhërues, i cili e prek paditësin drejtpërdrejt dhe pa masa zbatuese të ndërmjetme. Sipas Gjykatës Evropiane të Drejtësisë këto janë aktet juridike universale, me përjashtim të akteve ligjvënëse. Por, sipas të dhënave të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë ky variant nuk është i sqaruar përfundimisht në zbatimin juridik.

Franz Mayer, ekspert në universitetin e Bielefeld-it
Franz Mayer, ekspert në universitetin e Bielefeld-itFotografi: privat

Padi prej Bankës Federale Gjermane?

Eksperti i së drejtës evropiane Franz Mayer vë megjithatë në dukje se një bankë qendrore kombëtare mund të ngrinte padi, për sa kohë ajo është "e prekur" në formë prej veprimeve të Bankës Qendrore Evropiane, siç përshkruhej më parë. Edhe Parlamenti Evropian, Këshilli Evropian dhe Komisioni Evropian mund të ngrenë padi kundër veprimeve të ECB-së.

Kur një shtet anëtar i BE-së kërkon të ndërmarrë hapa ligjorë kundër veprimeve të ECB-së, ai gjithashtu mund të ngrinte padi zhvleftësimi pranë Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. Mirëpo, aktualisht nuk duket sikur një shtet anëtar të ngrinte padi kundër planeve të sapomiratuara. Kritikë ndaj politikës së ECB-së vjen kryesisht nga Gjermania. Nga ana tjetër, kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh të premten tekstualisht pro blerjes së obligacioneve shtetërore.