A është Gjermania ende vend i shpikësve?
20 Nëntor 2023Duket si një disk i zakonshëm i frenave të makinës, por kushdo që e kupton këtë do ta vërejë ndryshimin. Sipërfaqja është e ndryshme, e veshur me një shtresë më të errët. Ata që e projektuan, në kompaninë Trumpf në Ditzingen pranë Shtutgartit, mendojnë se shpikja do të ndryshojë të paktën pak industrinë e automjeteve.
Duke përdorur një proces lazer, ato përmirësojnë diskun e frenave në mënyrë që të konsumojnë më pak gjatë frenimit dhe të lëshojnë më pak grimca të imëta në mjedis. Shpikësit presin që industria e automjeteve të tregojë interesim për produktin e tyre. "Shpikje të tilla kanë sukses vetëm sepse ne sjellim personat më të zgjuar në kompaninë tonë," thotë Berthold Schmidt, menaxher teknik i Trumpf.
Kjo kompani investon çdo të dhjetën euro të qarkullimit vjetor në kërkime, që është gjysmë miliardë euro në vit. Kështu ata dalin me rreth treqind patenta në vit.
"Por Gjermania nuk ofron më parakushtet më të mira për sipërmarrësit inovatorë”, kritikon Schmidt. "Le të themi, këtu duhen javë të tëra për të marrë të gjitha miratimet për krijimin e një kompanie. Në vendet e tjera mbaron brenda një dite”. Burokracia e tepërt, thotë ky drejtor, refuzon kompanitë e reja, madje edhe inovacionet.
Më pak patenta
Diçka mund të lexohet nga statistikat: Vitin e kaluar, në Gjermani janë regjistruar 57.214 patenta, që është 16 për qind më pak se pesë vjet më parë. Në nivel ndërkombëtar, Koreja e Jugut e ka kaluar Gjermaninë që zë vendin e pestë në botë. Shumica e patentave vijnë nga Kina, Shtetet e Bashkuara dhe Japonia.
Zyra Gjermane e Patentave bën të ditur se vetëm nga kjo nuk mund të nxirret përfundimi se Gjermania ka mbetur prapa në inovacione. Ata deklarojnë se shpenzimet për kërkimin dhe zhvillimin janë rritur ndjeshëm, por ndërgjegjësimi nuk është aq i lartë në Evropë që çdo zbulim, qoftë edhe më i vogli, që ai duhet të patentohet.
"Në vende të tjera të botës, veçanërisht në Azi, kjo vetëdije është shumë e theksuar”, thonë përfaqësuesit e këtij instituti. Në botë, numri ipatentave në fushën e elektroteknikës është rritur, ndërsa numri i shpikjeve në industrinë e automjeteve, që tradicionalisht është motori i prosperitetit gjerman, është në rënie.
Eva Schevior, presidente e Zyrës së Patentave, thotë se kjo flet për forcimin e fushave të digjitalizimit, automatizimit, inteligjencës artificiale dhe teknologjisë së baterive. "Por sipas numrit të patentave të regjistruara, ky zhvillim nuk e favorizon vërtet Gjermaninë”, shton ajo.
Cilat janë mundësitë e Evropës?
Ministria e Ekonomisë thekson se numri i patentaveështë vetëm një nga faktorët dhe vlerëson Gjermaninë si vend për investime dhe kompani inovative. Ata thonë se po ndërmerren hapa për uljen e burokracisë dhe futjen e stimujve shtesë për inovacione.
Mathias Bianchi nga Shoqata e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme tregon një histori tjetër. "Në fushën e teknologjive digjitale, Gjermania nuk qëndron mirë në krahasimin ndërkombëtar”, thotë ai.
Ai thotë se Gjermania është ende një vend shpikjesh, por në industritë në zhvillim të tjerët e kanë kaluar atë. Ai e sheh një pjesë të arsyes në faktin se korporatat e mëdha të internetit nga Shtetet e Bashkuara dhe Azia investojnë shumë më tepër në kërkime sesa ato evropiane.
Bianchi e sheh çmimin e lartë të energjisë dhe burokracinë e tepërt si pengesa në Gjermani. Kërkon që shteti të digjitalizojë dhe të heqë dorë nga burokracia e tepërt e panevojshme. "Përveç kësaj, ne duhet të mbështetemi në bashkëpunimin evropian," thotë ai dhe shton se "vendet evropiane mund ta kapërcejnë konkurrencën amerikane dhe aziatike vetëm së bashku."