230211 UN USA Libyen
23 Shkurt 2011Përfaqësuesit e 15 vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit shprehin shqetësim të thellë dhe keqardhje për shkak të vrasjes së qindra civilëve, thuhet në kumtesën e organit më të lartë të OKB-së. Ata kërkojnë ndërprerjen e menjëhershme të dhunës dhe që qeveria libiane të përmbushë kërkesat e drejta të popullit. Gjermania dhe vendet e tjera angazhohen që përgjegjësit për dhunën të nxirren para drejtësisë. Takimi i Këshillit të Sigurimit u mbajt me kërkesën e delegacionit të Libisë në OKB. Ministrja e Jashtme amerikane Hillary Clinton tha se Uashingtoni është i "alarmuar" për shkak të situatës, sepse nga Libia kanë arritur informacione për vrasjen dhe plagosjen e qindra njerëzve. Qeveria e Libisë duhet t' i nxjerrë përgjegjësit para drejtësisë dhe t'i japë fund dhunës. „Kjo gjakderdhje është absolutisht e papranueshme. Qeveria e Libisë duhet të respektojë të drejtat e popullit të vet, ku bëjnë pjesë edhe e drejta e mendimit dhe e tubimit", tha ajo.
Mundësi të kufizuara për vendosjen e masave konkrete ndaj Tripolit
Masa konkrete kundër qeverisë libiane nuk janë ndërmarrë as në Këshilin e Sigurimit dhe as nga qeveria amerikane. Përfaqësuesit e Libisë në OKB kërkuan që të vendoset masa e ndalimfluturimit, për të pamundësuar që demonstruesit të sulmohen me avionë nga ajri. „Rrugët e komunikimit pothuajse janë ndërprerë tërësisht, por ne po përpiqemi të mbledhim sa më shumë informacione. Kur t'i kemi mbledhur të gjitha infromacionet do të bëjmë edhe vlerësimin e tyre." Por mundësia e Uashingtonit për të vepruar është më e kufizuar se sa në rastin e Egjiptit. Qeveria amerikane e tërhoqi personelin nga ambasada e vet në Tripoli në vitet 70-të. Raportet mes këtyre vendeve u rivendosën në vitin 2003, pasi Libia u shpreh e gatshme që t'ia dorëzojë SHBA-së planet e veta për armët e shkatërrimit në masë dhe u përbetua se nuk do ta mbështesë terrorizmin dhe mori përgjegjësinë për atentatit në Lockerbie. Në 2006 Uashingtoni e hoqi Libinë nga lista e vendeve që mbështesin terrorizmin. Ndërsa dy vite më vonë u dërgua atje ambasadori amerikan, i cili para pak kohësh është tërhequr, pas botimit të të dhënave sekrete nga portali i internetit WikiLeaks. As ndihmat amerikane për Libinë nuk janë të mëdha, sepse për këtë vit janë lëvruar vetëm një milion dollarë për forcimin e raporteve ushtarake. Ndërkohë që 85 % e naftës nga ky vend eksportohet në Evropë.
Senatori John Kerry kërkon që kundër Libisë të vendosen sanksione. Ndërsa eksperti Elliott Abrams mendon se qeveria e presidentit Barack Obama duhet të bëjë më shumë kundër Muammar al-Gaddafit.
„Pse nuk e përjashtojmë nga Këshilli i OKB-së për të drejtat e njeriut? Pse nuk i ngrijmë të gjitha kontot e Gaddafit dhe familjes së tij? Duhet të përpiqemi të vendosim edhe një embargo të armëve, nëse regjimi i atjeshëm përpiqet të blejë më shumë armë për t'i përdorur kundër popullit. A i kemi ndërmarrë të gjitha masat e mundshme për të ofruar ndihma humanitare, përmes Egjiptit apo Tunizisë?“
Abrams është i mendimit se ndalimfluturimi mund të vendoset vetëm së bashku me BE-në dhe NATO-n. Por duket se aktualisht askush nuk është i gatshëm për këtë masë.
Autor: Christina Bergmann / Bahri Cani
Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora