1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Afera korrupsioni shkaktojnë krizë qeveritare në Poloni

Thomas Rautenberg10 Korrik 2007

Qeveria polake gjendet në krizë: Kryeministri Jaroslaw Kaczynski shkarkoi dje zëvendësin e tij Andrzej Lepper, edhe ministri i sporteve Tomasz Lipiec u desh të largohej

https://p.dw.com/p/BENP
Ish-ministri polak i bujqësisë Andrzej Lepper duke dalë nga një intervistë televizive disa orë pasi u shkarkua nga kryeministri, Jaroslaw KaczynskiFotografi: AP

Bëhet fjalë për 'shumë milionë Zloty' mitëmarrje, tha Kryeministri Jaroslaw Kaczynski. Tani shtrohet pyetja se si do të vazhdohet, aq më tepër që edhe ndarja me Partinë e Bujqve të Lepper-it duket e afërt dhe në këtë mënyrë qeveria mund të humbiste shumicën e nevojshme.

Natën e kaluar kryetari i qeverisë polake Jaroslaw Kaczynski u përpoq të luante rolin e njeriut të fortë politikisht. Nuk ishte zëvendëskryeministri Andrzej Lepper që u largua nga posti, por ai vetë, Kaczynski, e kishte nxjerrë përjashta partnerin e koalicionit pasi mësoi për akuzat për korrupsion, deklaroi kryeministri para shtypit polak:

'Dokumentat që mu paraqitën flasin qartë për atë se Andrzej Lepper është në rrethin e të dyshuarve. Kjo mjafton për ta lutur atë që të largohet nga kabineti.'

Lepper, kryetari i Partisë radikale të Bujqve, u largua por nuk mungoi të vinte në dukje fundin e shumicës qeveritare të kryeministrit Jaroslaw Kaczynski: 'Jaroslaw Kaczynski-t i tashë se po jap dorëheqjen, por edhe që nga ky çast nuk do të ketë më koalicion qeveritar. Kam përjetuar kaq shumë në politikë, por ajo që po luhet tani është një lojë shumë e çuditshme.'

Gjendja mund të bëhet vërtet e vështirë për kryetarin e qeverisë Jaroslaw Kaczynski pas fjalës së fundme politike të Partisë së Bujqve Samoobrona. Shumë mundësi për koalicion të ri Kaczynsky nuk ka. Prandaj kryeministri polak do të përpiqet të tërheqë në anën e tij deputetë të veçantë nga Partia e Bujqve e Lepper-it. Në rast se kjo përpjekje për shpëtim dështon, atëherë zgjedhjet e reja do të ishin rrugëdalja e vetme për Jaroslaw Kaczynski-n.

'Atëherë gjithçka shpie në zgjedhje të reja të parakohshme. Të paktën me një opozitë kaq agresive nuk është e mundur për kohë të gjatë shumica qeveritare.'

Shpresave të pakta të kryeministrit polak se Partia e Bujqve Samoobrona mund të kthehej në koalicionin qeveritar pa kryetarin e vet, u vruri drynin Andrzej Lepper-i: 'Në rast se Samoobrona vendos të dalë nga koalicioni, atëherë ne as nuk do të kthehemi në këtë koalicion qeveritar.'

Thuajse pa u vënë re gjatë grindjes në koalicion me Lepper-in kryeministri Kaczynski humbi edhe një ministër tjetër: Tomasz Lipiec, deri tani përgjegjës për portofolin e sporteve dhe në këtë mënyrë edhe për përgatitjen e kampionatit evropian të futbollit 2012 dha dorëheqjen pasi për të dyshohet të jetë përfshirë në korrupsion.