Aksident i rëndë në Itali me 38 të vdekur
29 Korrik 2013Në një aksident të rëndë me autobuz në jug të Napolit të dielën në mbrëmje humbën jetën 37 pelegrinë dhe shoferi. Autobuzi u rrëzua nga një urë e autostradës A16 në thellësi prej tridhjetë metrash. Forcat e shpëtimit të zjarrfikësve italianë njoftojnë se 11 vetë janë të plagosur, ndër ta katër fëmijë. Një pasagjer nuk është gjetur ende mengjezin pas fatkeqësisë.
Pelegrinët nga rrethinat e Napolit në një ekskursion gjatë fundjavës kishin vizituar disa vende pelegrinazhi të Shenjtit Padre Pio, ndër të tjera edhe vendlindjen e tij, Pietrelcina. Pas përplasjes pranë Monteforte Irpino autobusi u nda në dy pjesë. Pas tetë orë kërkimi të skuadrave të shpëtimit në fund të një shpati të pjerrët pranë Avellinos kufomat u vendosën në palestrën e një shkolle.
Sipas mediave italiane autobusi duhet të ketë hyrë me shpejtësi të lartë në një pjesë të autostradës, që konsiderohet si veçanërisht e rrezikshme. Një i mbijetuar tregoi se goma e majtë e përparme ishte çarë, pak para së autobuzi të përplasej me fundin e kolonës së trafikut të bllokuar. Shumë persona në automjetet, me të cilat u përplas autobusi, u plagosën. Prokuroria e Avellinos nisi hetimet për të sqaruar shkakun e rrëzimit.
Pasagjerët ishin një grup shokësh, që sipas të dhënave të të mbijetuarve bënin rregullisht ekskursione të përbashkëta. Fundjavën e kaluar ata kishin vizituar vende pelegrinazhi dhe banjat termale të Teleses, që ndodhen pranë Pietrelcinës.