Akuza të reja ndaj trupave të NATO-s në Afganistan
8 Prill 2013Gjatë bombardimeve të NATO-s në verilindje të Afganistanit ditën e shtunë (06.04.2013), u vrarë njëmbëdhjetë fëmijë, thotë qeveria afgane. Sulmi ajror në provincën Kunar është kryer mbrëmjen e shtunës (06.04.2013) pas një përleshjeje të trupave afgane dhe ushtarëve të ISAF-it me luftëtarët talibanë, thonë forcat afgane të sigurisë.
Kamera lëviz mbi fytyrat e fëmijëve të vrarë. Pjesa më e madhe e tyre janë të vegjël, të mbuluar me batanije dhe të vendosur njëri pas tjetrit. Pamjet e agjencisë së lajmeve Reuter të marra në distriktin Shigal në lindje të Afganistanit janë shqetësuese. Të afërm të fëmijëve kthejnë fytyrat e të vrarëve nga kamera, në mënyrë që bota të mund t`i shohë. Sipas të dhënave të më të moçmit të fshatit Haji Sha Mahmood, fëmijët e vrarë janë viktimat civile të sulmit ajror të NATO-s. "Ata kanë vrarë njëmbëdhjetë fëmijë, në moshën midis një dhe tetë vjeç. Ne nuk e dimë ende sa gra janë vrarë. Ky është sulmi i pestë ajror, në të cilin unë kam parë që janë vrarë fëmijë. Tek ne nuk ka luftëtarë të Al- Kaidas."
Sërish lëshohen akuza se në sulmet e tyre ajrore kundër talibanëve radikal- islamikë dhe aleatëve të tyre në Afganistan, trupat e NATO-s nuk janë kujdesur për civilët. Dihet që pjesa më e madhe e civilëve të vrarë në luftën e Afganistanit janë viktima të sulmeve vetëvrasëse dhe automjeteve me bomba. Por, akuzat që në sulmet e NATO-s, sidomos në sulmet ajrore, janë vrarë civilë, i kanë rënduar shumë marrëdhëniet midis trupave ndërkombëtare dhe qeverisë afgane në këto 13 vjet. Në shkurt, presidenti Karzai nxorri një dekret, i cili i ndalon ushtrisë afgane të kërkojë ndihmë nga ajri në zonat e banuara.
Në rastin në fjalë duhet të kenë qenë trupat amerikane që kanë kërkuar ndihmë nga ajri. Por, ato kanë janë përballur me hapje të rëndë zjarri kur kanë qenë në një operacion të përbashkët me ushtarët afganë, kundër luftëtarëve talibanë. Sulmi duhet të ketë vazhduar katër orë. Një zëdhënës i trupës ndërkombëtare konfirmoi misionin, si dhe njoftimin se në të ka pasur ndihmë nga ajri.
Lt. Col. Richard Spiegel: "Po, unë mund ta konfirmoj këtë. Trupat afgane ndodheshin nën zjarrin e kryengritësve, dhe forcat e koalicionit dhanë ndihmë nga ajri. Ne e dimë se duhet të ketë pasur viktima civile. Ne e marrim shumë seriozisht këtë çështje dhe do të hetojmë me përpikmëri çfarë ka ndodhur."
Provinca Kunar në lindje të Afganistanit ndodhet në kufi me Pakistanin. Zona malore në të cilën ka shumë guva, shihet si vend ku janë përqëndruar talibanët. Nga ana pakistaneze, në Afganistan futen gjithnjë e me shumë njësi talibane dhe xhihadistë të huaj, për të luftuar kundër qeverisë së Karzait dhe trupave ndërkombëtare. Aktualisht rreth 100 mijë ushtarë të huaj janë stacionuar në Afganistan. Trupat luftarake duhet të tërhiqen deri në fund të vitit 2014. Vendimi për numrin e trupave që do të vazhdojnë të qëndrojnë si trainerë dhe këshilltarë, për një mision pasues, nuk është marrë ende.