1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Akuzat për korrupsion detyrojnë Presidentin e Bankës Botërore të japë dorëheqjen

Christina Bergmann18 Maj 2007

Pas disa javësh diskutimi presidenti i Bankës Botërore, Paul Volfovic dha të enjten më 17 maj dorëheqjen nga posti. Komision i brendshëm hetimor e akuzoi Volfovicin, se ka shkelur rregullat e bankës

https://p.dw.com/p/AqVx
Paul Wolfowitz
Paul WolfowitzFotografi: AP

Deklarimi zyrtar i drejtorisë se Presidenti Volfovic (Wolfowitz) jep dorëheqjen në pjesën më të madhe ka përmbajtjen e një dëftese pozitive. Në një paragraf të tërë përshkruhen sukseset e Volfovicit. Lidhur me ngritjen në post dhe rritjen e pagës mikeshës së tij thuhet, që Volfovic e ka siguruar drejtorinë, se ka vepruar korrekt moralisht dhe me besimin e plotë që po vepron në të mirë të bankës, kjo deklaratë e tij është pranuar.

Megjithatë dr. Eckhhard Deutscher, përfaqësues i Gjermanisë dhe kryetar i drejtorisë së Bankës Botërore, bëri të qartë në Uashington të enjten në mbrëmje më 17 maj, se përzgjedhja e këtyre formulimeve ka të bëjë vetem me faktin, që drejtoria me çdo kusht donte të arrinte unanimitetin. Ishin kryesisht përfaqësuesit e ShBA dhe të Britanisë së Madhe që nuk do ta kishin miratuar një formulim më të ashpër.

Deutscher tha mëse qartë, se drejtoria ka arritur në përfundimin, që Volfovic nuk është më në gjendje të përballojë në mënyrë efektive drejtimin e Bankës Botërore: "Shkaqet përse qeveria gjermane e konsideroi si të papranueshëm zotin Volfovic kanë të bëjnë vetëm me mënyrën se si ai e ka drejtuar Bankën Botërore. Veçanërisht theksohen shkeljet e etikës dhe të kodit të personelit, si dhe mënyra se si ka vepruar ai gjatë krizës së fundit."

Personeli i Bankës Botërore si dhe menaxhmenti e aksionerët e saj, sipas përfaqësuesit të Gjermanisë, Deutscher, e kanë humbur besimin tek aftësitë drejtuese të Volfovicit. Përveç kësaj gjatë dy bisedave që ai ka zhvilluar me drejtorinë, ai s´ka mundur të paraqesë një strategji bindëse për të ardhmen. Kritikohet gjithashtu edhe strategjia agresive që ka përdorur ai për t´u mbrojtur. "Me këtë ai ka shprehur një qëndrim problematik ndaj institucioneve dhe rregullave e normave të tyre duke cënuar edhe imazhin shembullor që duhet të rezatojnë drejtuesit dhe qëndrimin në funksione drejtuese."

Paul Volfovic shpesh herë është mbrojtur duke deklaruar, se ka vepruar me udhëzimin e forumeve të Bankës Botërore. Lidhur me këtë Deutscher, kryetar i drejtorisë thotë, se Volfovic ndër të tjera qysh në fillim është shmangur që të aktivizonte sektorin juridik të bankës.

Raporti i brendshëm i komisionit hetimor, që u publikua para pak ditësh, dëshmon edhe për një tjetër problem brenda Bankës Botërore. Udhëzimet ndaj Volfovicit nuk kanë qenë të qarta, thuhet në të. Roli dhe detyrat e komisionit të etikës duhet të verifikohen ashtu si edhe procedurat e brendshme. Kjo vërehet edhe në deklaratën e drejtorisë. Në të thuhet, se edhe persona të tjerë kanë bërë një sërë gabimesh dhe se sistemi i bankës nuk u përgjigjet kërkesave të parashtruara në këtë rast.

Të premten më 18 maj drejtoria konsultohet se si do të veprohet në javët e ardhëshme. Volfovic do të qëndrojë në detyrë deri më 30 qershor, kur mbyllet viti financiar, por ai ka premtuar, se nuk do të marrë më vendime të rëndësishme gjatë kësaj periudhe. Madje Volfovic nuk do të marrë pjesë as në samitin e G8 dhe as në Forumin e Bankës Botërore për Afrikën. Në bazë të kontratës që ka Volfovic në rast të largimit para kohe nga posti ka të drejtë që të vazhdojë të marrë pagën vjetore në vlerën 375.000 dollarë. Sipas Deutscher nuk janë vendosur marrëveshje që kanë të bëjnë me këtë çështje. Në diskutim madje nuk ka luajtur rol as e ardhmja profesionale e Volfovicit.

Por prej kohësh po diskutohet mbi pasardhësin e tij. Në këtë diskutim çështja më e rëndësishme që shtrohet nuk është, se cili do të jetë presidenti i ardhshëm, por kush do ta propozjë atë. Deri më sot këtë të drejtë e kanë pasur ShBA dhe presidenti Bush është prononcuar në këtë drejtim. Por ka gjithnjë e më shumë zëra, që kërkojnë të hiqet ky privilegj ndaj amerikanëve. Eckhard Deutscher vë në dukje, se kjo çështje do të vendoset në kryeqytetet e vendeve që janë donatore të Bankës Botërore. Ndonëse ai tërheq vëmendjen: "Ne në drejtorinë e Bankës Botërore në vitin 2004 kemi marrë vendimin, që çdo drejtor ekzekutiv mund të emëroj një kandidat, i cili mund të zgjidhet. Pra rregullorja brenda Bankës Botërorore dhe drejtorisë nuk presupozon që automatikisht kandidati i ardhshëm të jetë një amerikan. Kushdo ka të drejtë të bëjë propozime, edhe vendet në fazën e industrializimit, apo ato në zhvillim e kushdo qoftë."