1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

070112 Argentinien Wirtschaft

7 Janar 2012

Argjentina ka bërë të pamundurën. Para 10 vitesh vendi shpalli falimentin, ndërsa sot është një vend me rritje të jashtëzakonshme ekonomike. Po a mund të përdoret Argjentina si shembull për Greqinë?

https://p.dw.com/p/13fmp
Bumi ekonomik në Argjentinë lidhet me emrat e Nestor Kirchner dhe gruas së tij Cristina.
Bumi ekonomik në Argjentinë lidhet me emrat e Nestor Kirchner dhe gruas së tij CristinaFotografi: picture-alliance/dpa

Argjentina para dhjetë vitesh ishte midis krizës më të madhe në 200 vjetët e fundit. Njerëzit dilnin me pjata në rrugë dhe protestonin kundër udhëheqësisë së tyre politike, për shkak të gjendjes së rëndë sociale dhe ekonomike në vend.

“Que se vayan” brohorisnin demonstruesit. Aa kërkonin që politikanët të shporren nga postet e tyre. Pati edhe incidente të rënda dhe mbi 40 persona të vrarë.

Argjentina kishte falimentuar dhe ishte shkatërruar ekonomikisht nga korrupsioni dhe politikanët e korruptuar. Vendi kishte borxh më shumë se 170 miliardë dollarë amerikanë. Papunësia ishte shumë e lartë, ndërsa fëmijët vuanin nga uria. Roberto Lavagna nuk mund të basojë as sot se sa e keqe ishte gjendja në vendin e tij: „Situata ishte shumë e keqe. Shumë historianë thonë se kjo ishte kriza më e thellë që nga viti 1890, pra në 110 vitet e fundit. Gjendja sociale ishte e tmerrshme. 52 % e njerëzve jetonin në varfëri.“

Filimi i reformave dhe hapat që janë bërë

Shitja e autoveturave.
Këtu janë rikthyer edhe markat më të njohura.Fotografi: DW/Leonhoff

Roberto Lavagna u zgjodh në vitin 2002 si ministër i Ekonomisë dhe së bashku me presidentin e mëvonshëm Nestor Kirchner, nisi reformat. Kirchner shpalli falimentimin e vendit, por bëri pagesat e domosdoshme ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar, për të ruajtur hapsirën manovruese. Ai thjesht injoroi një pjesë të madhe të borxheve të huaja dhe urdhëroi uljen e jashtëzakonshme të vlerës së monedhës vendore Peso. Argjentina filloi ngadalë të bëhet konkurrente në treg.

„Në këtë proces ka pasur disa zhvillime thelbësore: Së pari, vendosëm që konsumi të trajtohet si motor i shërimit ekonomik. Në 20 vitet e fundit Argjentina varej nga eksporti dhe investimet. Ndërsa konsumi i brendshëm ishte lënë pas dore. E dyta dhe vendimtarja ishte: Argjentina kishte nevojë për mjete financiare shtesë. Dhe së treti, është dashur të pranojmë se borxhet tona kanë arritur një nivel kaq të lartë sa që nuk ishin në gjendje t'i kthejmë. Marrja e borxheve të reja ishte e pashmangshme sikur edhe shlyerja e disa borxheve“, pohon Lagagna.

10 vite më vonë, në Buenos Ajres dhe qytetet tjera të Argjentinës nuk ka mbetur gati asnjë gjurmë nga kjo krizë. Njerëzit kanë tani shumë më shumë para në portofol dhe shpenzojnë më shumë. Kriza globale gati që nuk vërehet aspak. Presidentja Cristina Kirchner është krenare me rezultatet e arritura. Argjentina është shndërruar nga një vend në falimentim, në një vend të mrekullive ekonomike.

Transformimi i jashtëzakonshëm

Presidentja Cristina Fernandez de Kirchner.
Presidentja krenare Cristina KirchnerFotografi: picture-alliance/dpa

„Ne jemi tani në një Argjentinë të re. Vendi ka bërë një hap shumë të madh, sepse më parë papunësia ishte 25 %. Borxhet arrinin shifrën prej 140 % të prodhimit bruto, ndërsa çdo i dyti jetonte në varfëri. Sot kemi një vend me rritjen më të madhe ekonomike në 200 vitet e fundit“, thotë presidentja.

Argjentinasit e shikojnë me kureshtje krizën financiare në vendet tjera. Atyre u kthehen kujtimet e kohërave të kaluara, sepse e kanë shumë të qartë se çfarë do të thotë falimentimi i një vendi. Argjentina tani për tani s'ka të bëjë me këtë krizë. Por argjentinasit e kanë të qartë se kriza mund të kthehet.

Autor: Julio Segador/Bahri Cani

Redaktoi: E. Xhani