Intensifikohet debati për korrupsionin në sektorin e shëndetësisë
3 Janar 2013Arkat e sigurimeve shëndetësore ligjore kërkojnë që të jetë i mundur dënimi i mjekëve të pavarur në rast se ata marrin mitë ose përfitime të tjera. Gjykatës Federale iu desh të konstatonte në qershor të vitit të kaluar se aktualisht një dënim i tillë është i pamundur. Në të njëjtën kohë gjykatësit i sinjalizuan politikës që kjo e çarë në legjislacion të mbyllet. Ministri i Shëndetësisë Daniel Bahr (FDP) nuk ka marrë ende vendim në këtë çështje. Zëdhënësja e tij tha të mërkurën (2.1.2011) në Berlin se nuk dallon presion kohe, pasi lënda është e ndërlikuar.
Fusha e shëndetësisë është vërtet e ndërlikuar. Ekzistojnë disa mundësi për të siguruar përfitime. Avokati Malte Passarge, drejtor i shoqatës antikorrupsion "Pro Honore", përmend si shembull bashkëpunimin midis farmacive dhe mjekëve. E zëmë se një mjek e dërgon pacientin e tij me kancer tek një farmaci e caktuar (ndoshta një që është në të njëjtën ndërtesë), në mënyrë që ky i fundit të marrë atje barnat e tij. Në rastin e pacientëve me kancer mund të arrihet lehtë një vlerë mbi 1.000 euro. Farmacia mund ta falënderojë për shërbimin e rekomandimit (për shembull duke i dhënë pjesë në fitim, ose duke marrë përsipër për mjekun kosto personeli, ose të klinikës). Në këtë kontekst përbën vazhdimisht temë diskutimi edhe bashkëpunimi me koncernet farmaceutike: "Ka njëfarë zakoni në sektorin shëndetësor", thotë në bisedë për Deutsche Welle-n Passarge, sepse "shëndetësia është dega ekonomike më e madhe në Gjermani, ndërkohë më e madhe se dega e automobilave."
Rast i veçuar apo epidemi?
Se sa i përhapur është korruptimi i mjekëve dhe i mjekeve në të vërtetë, kjo nuk mund të përcaktohet saktësisht. Është e vështirë të mblidhen prova, thotë avokati Passarge. Sipas tij, më shumë mjekët zbulohen nëpërmjet kontrolleve të taksave. Jens Spahn, ekspert i shëndetësisë në Partinë Demokristiane, supozon në bisedë me [gazetën] "Frankfurter Allgemeinen Zeitung" më 02.01.2013 se ka mijëra raste. Që këtu nuk bëhet fjalë për raste të veçuara, këtë e thotë edhe Wolfgang Wodarg, ish-deputet për Partinë Socialdemokrate dhe tani ekspert për shëndetësinë te Transparency International (TI): "Kriminologët thonë që rastet e korrupsionit në sektorin e shëndetësisë ua kanë kaluar ndërkohë rasteve në sektorin e ndërtimit."
Vetëm gjykatat profesionale të vendit mund t'i dënojnë mjekët e korruptuar, madje mund t'u heqin atyre lejet për ushtrimin e profesionit. Megjithatë, kjo nuk ka ndodhur "pothuajse në asnjë rast", thotë për DW-në Ulrich Montgomery, president i dhomës së mjekëve gjermanë. Përmasat e rasteve nuk kanë qenë aq të mëdha, shton ai.