Armët kimike të Sirisë shkaktojnë panik në Itali
17 Janar 2014Rezidentët dhe zyrtarët në Gioia Tauro u inatosën kur u informuan për operacionin. Një anije daneze e ngarkuar me gaz helmues është rrugës për në portin italian. Ngarkesa do të transferohet tek anija amerikane Cape Ray, ku do të bëhet edhe shkatërrimi në det të hapur. "Ato nuk do të shkatërrohen në tokë, por në det të hapur, ndoshta në Mesdhe apo Oqeanin Atlantik. Problemi është të përcaktohet se ku do të hidhen mbetjet përfundimtare", thotë Germano Dottori, profesor i studimeve strategjike pranë Luiss University në Romë.
Ndërsa kryetari i bashkisë së Gioia Tauro, Renato Bellofiore, ka thënë se ky është një lajm i keq që më parë e ka mësuar nga mediat. "Është shumë negativ fakti që populli dhe institucionet nuk u informuan më parë. Unë nuk dija asgjë. Kjo po shkakton panik tek njerëzit", është shprehur Bellofiore.
Kryebashkiaku ka kujtuar gjithashtu se në territorin Gioia Tauro është një incinerator dhe së fundmi është vendosur për ndërtimin e një platforme gazi. Sipas tij këto struktura janë shumë të rrezikshme për shëndetin e njerëzve.
Ndërsa Profesor Germano Dottori thotë nuk ka vend për panik. "Normalisht në këtë operacion nuk ka rrezik, sepse operacione të tilla ndodhin përditë në port. Në popullin italian ka një ndjeshmëri të veçantë për faktin se më parë janë bërë gabime në menaxhimin e mbetjeve toksike në vend", thotë Dottori.