Arrati prej mafies - Autori i zbulimit të Camorra-s largohet nga Italia
16 Tetor 2008Në provincat italiane Napoli dhe Kaserta vetëm një pakicë e privilegjuar ka mundësinë të ketë një "jetë normale". Në këto rajone qeveris Camorra, mafia. Autori i ri italian Roberto Saviano vjen nga këto zona dhe ka botuar librin me titull "Gomorrha" - ku përshkruhet jeta dhe mafia në këto provinca.
Jam kthyer në të burgosurin e suksesit të librit tim, thotë Roberto Saviano. Autori që zbulon Camorra-n përmes titullit mëse të qartë „Gomorrha“ – dëshiron të ketë sërish një jetë normale në qytezën e tij thuajse të harruar nga Zoti, Casal di Principe: ai do të dashurojë, të shkojë të pijë një birrë, sepse është vetëm 28 vjeç.
Jeta e izoluar e Savianos
Dy vitet e fundit ai ka pasur dy karabinierë që e mbronin 24 orë. Jam bërë shok me ta, tregonte i gëzuar Saviano verën e vitit 2007. Por tani ai nuk duron dot më, çdo ditë shtron pyetjen përse duhej ta bëja këtë, kështu është shprehur ai për gazetën "La Republika". Të martën u bë e ditur, se një Camorrista, i cili bashkëpunon me policinë, ka treguar mbi planet konkrete të mafias napolitane për të vrarë Saviano-n. Tani Saviano ka nevojë të shkëputet nga Italia. Pasioni dhe kënaqësia për suksesin, tashmë kanë shterruar: „E para që sakrifon janë marrëdhëniet ndërnjerëzore. Në këtë drejtim Italia është një vend i veçantë. Por suksesi i librit tim do të thotë për mua, që njerëzit, lexuesit, nuk duan më vetëm bestseller-at e zakonshëm, që përfundojnë në listën e më të mirëve, por ato duan të kuptojnë vërtetë, duan të kenë një libër, që është si një vegël."
Rreziku që vjen pas përzgjedhjes të së mirës
Saviano nuk është i vetmi shkrimtar apo gazetar në Itali, që jeton nën mbrojtjen e policisë. Por ai është tani për tani më i suksesshmi. Ky sukses, ky prestigj që korri libri tashmë i filmuar dhe i propozuar për Oscar, e shqetëson Camorra-n. Asgjë nuk është më e dëmshme për bizneset e shoqërisë së nderit, se sa përpjekja për ta nxjerrë atë në vëmendjen publike. Kjo e vështirëson presionin ndaj drejtësisë, ndaj legjislativit dhe organeve të sigurisë. Roberto Saviano: „Mafia është mjaft e vëmendshme. Më e fortë, nga sa besojnë intelektualët, që gjithmonë e nënvleftësojnë atë. Jo, krimi i organizuar i njeh mekanizmat e shoqërisë së informacionit më mirë se kushdo tjetër. Sepse ai konfrontohet vazhdimisht me këtë."
Castelvolturno, një zonë në Napoli, të cilën sipas Saviano-s Camorra ia ka lënë në dispozicion mafias nigeriane dhe ku sot janë dislokuar ushtarë të njesive speciale, ka të bëjë jo vetëm me vrasjen e gjashtë afrikanëve me ngjyrë përpara disa javësh, por edhe faktin, që e gjithë Italia sot është sensibilizuar ndaj temës Camorra. Kjo edhe falë Saviano-s. Historia e jetës së tij është një përzgjedhje mes së mirës dhe së keqes, sado banale që të tingëllojë. Ai mund të kish përfunduar edhe si avokat i një bosi nga vendlindja e tij Casal di Principe. Por babai i tij, mjek urgjence, e kish sqaruar për disa gjëra. Përkundër ligjeve të pashkruara, që një njeri i vrarë prej mafias lihet në rrugë duke u përgjakur, në mënyrë që vrasësi në kohën e kryerjes së aksionit të mos i sulet edhe ambulancës e të qëllojë sërish, babai i tij ia ka dalë të ndihmojë të plagosurit dhe t´i çojë ata në spital. Ai ka bërë detyrën e tij. Po kështu edhe Saviano ka mësuar. Atë madje një herë në administratën e Napolit e kanë sharë si ndotës të folesë. Gjatë pjesëmarrjes në një debat në podium në Casal di Principe atij iu desh të dëgjojë prej një bosi, që i tha: ti je histerik, nuk ka Camorra.