Kosovë: Arrestime të reja nga Gjykata Speciale
6 Dhjetor 2024Prokuroria e Dhomave të Specializuara me seli në Hagë, arrestoi nëKosovë tre persona siç thuhet, "për pengim të drejtësisë”. Të arrestuarit sipas organizatave të dala nga lufta janë, ish-kryetari i bashkisë në Malishevë, Isni Kilaj, ish-shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI) Bashkim Smakaj, që ishte edhe këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi për Siguri, si dhe ish-luftëtari i UÇK-së, Fadil Fazliu. Gjatë gjithë ditës së enjte deri në orët e vona të natës është bastisur edhe shtëpia e ish-zëvendëskryeministrit dhe ish-ministrit të Drejtësisë Hajredin Kuçi. Nga zyra e Dhomave të Specializuara thanë se aksioni i ZPS-së ka të bëjë me "veprat penale të pengimit të administrimit të drejtësisë”.
"Pengimi i drejtësisë"
"Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) po kryen operacione në vazhdimësi në Kosovë, në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Operacionet e ZPS-së janë autorizuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe janë mbështetur nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)", thuhet në një komunikatë të ZPS-së por, pa dhënë hollësi të tjera.
Ish-kryetari i komunës së Malishevës Isni Kilaj, ishte arrestuar për herë të parë në nëntor të vitit 2023, nën dyshimet për veprat penale që kanë të bëjnë me pengimin e drejtësisë. Ai u lirua me kusht në maj të këtij viti, pas një dorëzanie prej 30 mijë eurosh. Bashkim Smakaj, ishte drejtor i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), nga viti 2009 deri në vitin 2015. Pas përfundimit të mandatit, ish-Presidenti Hashim Thaçi, e kishte emëruar si këshilltar për çështje të sigurisë. Gjatë gjithë ditës së enjte deri në orët e vona të natës, prokuroria speciale e Hagës kreu bastisje edhe në shtëpinë e ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili së voni ishte edhe pjesë e ekipës mbrojtëse të ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili po gjykohet në Hagë për krime lufte.
Rasti Gucati dhe Haradinaj
Të dënuar për pengim të drejtësisë nga Gjykata Speciale deri tash janë dy ish-pjesëtarë të UÇK-së dhe drejtues të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj. Ata e kanë kryer denimin dhe janë liruar.
Gjykata Speciale deri tash ka dënuar për krime lufte dy ish-pjesëtarë të UÇK-së. Salih Mustafa, është dënuar me 22 vjet nën akuzat për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë. Ndërsa Pjetër Shala, është dënuar me 18 vjet heqje lirie për veprat penale ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje.
Partia Demokratike e Kosovës, që më herët është udhëhequr nga Hashim Thaçi, e më pas edhe nga Kadri Veseli, i cili po ashtu po gjykohet në Hagë, ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me zhvillimet që ndërlidhen me Gjykatën Speciale.
PDK kërkon drejtësi
"PDK, thekson rëndësinë e ruajtjes së standardeve më të larta të drejtësisë dhe të paanshmërisë, që janë gurthemel i funksionimit të çdo institucioni gjyqësor, përfshirë Dhomat e Specializuara. Besojmë fuqimisht se drejtësia dhe paanshmëria nuk janë vetëm kërkesa, por kushte të domosdoshme për një proces të drejtë dhe të besueshëm”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Në Gjykatën Speciale në Hagë po vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Ata u arrestuan në nëntor të vitit 2020, nën akuzat për veprat penale përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë të personave. Të akuzuarit i kanë mohuar të gjitha akuzat.