1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Arrestohet ish-terroristja e RAF, Daniela Klette

27 Shkurt 2024

RAF vrau shumë vetë përpara se të shpërbëhej në 1998. Por disa ish-terroristë qëndrojnë ende të fshehur. Sipas prokurorisë, është arrestuar në Berlin Daniela Klette, e cila ishte fshehur.

https://p.dw.com/p/4cvvw
Fahndungsbild RAF-Terroristin Daniela Klette
Fotografi: Polizei/dpa/picture-alliance

Është arrestuar Daniela Klette, e kërkuar ndër të tjera për vrasje të mbetur në tentativë. Ish-terroristja 65-vjeçare e RAF (Fraksioni i Ushtrisë së Kuqe) është arrestuar në Berlin, siç njoftoi prokuroria e Verdenit (Saksonia e Ulët). Për rrethanat e sakta të arrestimit për momentin nuk të dhëna të tjera. 

"Ne kemi një arrestim të zonjës Klette," tha Koray Freudenberg, prokuror i lartë, zyra e të cilit po heton Klette dhe të dyshuarit e tjerë Ernst-Volker Staub dhe Burkhard Garweg.

Prokurorët kishin publikuar më parë një kërkim publik për Klette-n dhe patën kërkuar ndihmë. Një program televiziv e bëri publik kërkimi dhe hetuesit në Saksoninë e Poshtme – ku ndodhën shumë nga grabitjet – thanë se kishin marrë 161 sinjale rreth vendndodhjes së mundshme të të dyshuarve.

Sipas zyrës së prokurorit, ajo zhvillon hetime që në vitin 2015 për Kletten dhe dy ish-anëtarë të tjerë të RAF, Ernst-Volker Staub dhe Burkhard Garweg. Përfaqësuesit e brezit të tretë të RAF besohet se kanë vrarë kreun e atëhershëm të Deutsche Bank, Alfred Herrhausen dhe kreun e organizatës së administrimit të besuar Treuhand, Detlev Karsten Rohwedder.

Hetuesit janë të bindur se Staub, Klette dhe Garweg filluan një seri grabitjesh me dhunë në supermarkete dhe kamionë me para në vitin 1999 për të siguruar jetesën e tyre ilegale.

Terroristë të RAF të kërkuar në vitet 1970. Disa prej tyre ndërkohë janë kapur, të tjerë kanë ndërruar jetë.
Terroristë të RAF të kërkuar në vitet 1970Fotografi: picture-alliance/ dpa

Alarm i rremë në një tren rajonal

Dhjetë ditë më parë ndodhi një alarm i rremë në lidhje me RAF, kur një burrë, që udhëtonte në një tren rajonal në Wuppertal u ngatërrua me ish-anëtarin e RAF, Ernst-Volker Staub. Policia dhe njësitë e armatosura speciale sulmuan stacionin qendror të trenit të Wuppertalit, në qytetin gjerman perëndimor të Wuppertal-it në fillim të këtij muaji, pasi morën një informacion se ish-terroristi i majtë Ernst-Volker Staub ishte parë në një tren atje.

Grupi terrorist i ekstremit të majtë Fraksioni i Ushtrisë së Kuqe (RAF) luftoi me  dhunë për më shumë se 20 vjet kundër të ashtuquajturit "sistem imperialist" të Republikës Federale të Gjermanisë. Nga viti 1971 deri në 1993, terroristët vranë 34 njerëz, midis tyre përfaqësues të botës së biznesit dhe politikës, si Prokurorin e Përgjithshëm federal Siegfried Buback dhe Presidentin e shoqatës së punëdhënësve Hanns Martin Schleyer. Në prill 1998, RAF njoftoi shpërbërjen si organizatë dhe nuk ka asnjë provë që ish-organizata terroriste është ende aktive.

dw, ag