Arrin në Birmani i ngarkuari i posaçëm i OKB-së Gambari
29 Shtator 2007Reklamë
I ngarkuari i posaçëm i OKB-së, Ibrahim Gambari, arriti në Birmani ku do të përpiqet të ndërmjetësojë për zgjidhjen paqësore të konfliktit mes juntës ushtarake dhe demonstruesve. Pas trazirave të djeshme situata në Rangun është sot e qetë por e tendosur. Dëshmitarët okularë njoftojnë se në qendër të qytetit po mbretëron një qetësi e zymtë. Murgjit, që kanë udhëhequr protestat e ditëve të kaluara kanë mbetur jashtë zonës së ndaluar pranë pagodave dhe manastireve. Ndërkohë regjimi ushtarak ka sjellë forca të reja të sigurisë në qytet. Regjimi në Birmani po përballet me një presion gjithnjë e më të madh ndërkombëtar, për shkak të përdorimit të dhunës kundër demonstruesve. Pas vdekjes së një gazetari japonez, Japonia i ka dërguar Birmanisë notë zyrtare proteste. Kryeministri britanik Gordon Braun ka kërkuar që BE t'i vendosë Birmanisë sanksione të reja. Këtë kërkesë e ka mbështetur edhe përfaqësuesi i BE për politikë të jashtme dhe siguri, Havijer Solana.