Autoritetet maqedonase nuk lejuan kalimin e autokolonës greke të KFOR-it për në Kosovë
4 Qershor 2008Ende pa u formuar kabineti i ri qeveritar në Shkup në marrëdhëniet midis Athinës dhe Shkupit është shënuar dhe tensioni i parë. Ai është indikativ i frymës në të cilën të dy fqinjët pritet të zgjidhin dhe konfliktin për emrin. Autoritetet doganore maqedonase nuk lejuan kalimin e autokolonës greke prej 50 automjetesh dhe efektivit ushtarak prej 140 vetësh që destinohej për Kosovë, ku do të zëvendësonte kontigjentin adekuat të trupave greke të KFOR-it.
Shkupi: ushtarët grekë të KFOR-it ishin pa pasaporta
Arsyeja, sipas tyre, ishte mospajisja e ushtarakëve grekë me pasaporta. Ata u kthyen me gjithë autokolonën pas, pasi kishin pritur me orë të tëra në pikëkalimin kufitar. Ndalimi i kalimit “u bë duke shkelur procedurën që aplikohet këtu e tetë vjet”, deklaroi zëdhenësi i ministrisë së jashtme greke, Jorgos Kumuçakos. Ai foli për “pretekste dhe arsyetime të pabaza” dhe komunikoi se me porosi të ministres së jashtme Bakojani do të bëhen demarshe pranë ministrisë së jashtme në Shkup dhe do të informohet Aleanca Atlantike për “këtë qëndrim antiproduktiv të autoriteteve të FYROM-it”, sikurse tha shprehimisht.
Athina vlerëson se përjashtohet së afërmi integrimi i Maqedonisë në NATO
Athina bën fjalë për bllokim në kufi jo thjesht të trupave greke, por të një kontigjenti ushtarak të NATO-s kurse media qendrore greke e përcjell ndodhinë si “veto” të Shkupit ndaj NATO-s, kur pret aderimin në gjirin e Aleancës. Ndodhia solli dhe ngritjen e toneve të Athinës për zgjedhjet e së Dielës në vendin fqinj, për të cilat fillimisht ishte mjaftuar me bashkërendimin e saj me partnerët evropianë duke bërë fjalë për “deficit demokratik”. “Na vjen keq, na vjen keq sinqerisht për mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve, do të presim rezultatet përfundimtare dhe vetëm atëhere do të prononcohemi”, deklaroi ministria e jashtme Bakojani duke shprehur shqetësimin e diplomacisë greke për reperkusionet që mund të ketë një situatë e tillë në stabilitetin politik të vendit fqinj por edhe të rajonit të Ballkanit më gjerë. Në këto kushte, siç emetohet në shtyp, Athina vlerëson se përjashtohet së afërmi integrimi i Maqedonisë në NATO dhe për rrjedhojë dhe bisedimet për emrin u kalojnë kalendave greke.