Avantazhet e marrëveshjes së shumëpritur politike në Bosnje-Hercegovinë
31 Dhjetor 2011Marrëveshja e liderëve politikë në Bosnjë-Hercegovinë, e arritur në takimin e mbajtur me 28 Dhjetor në Sarajevë, parashikon që kroatët të kenë postin e udhëheqësit të Këshillit të Ministrave, Ministrinë e Drejtësisë si dhe Ministrinë për të Drejtat e Njeriut dhe për Refugjatë. Serbët do të kenë në dorë Ministrinë e Financave, Tregtisë, Ekonomisë dhe Çështjeve Civile, ndërsa boshnjakët Ministrinë e Jashtme, Sigurisë, Mbrojtjes, Transportit dhe Telekomunikacionit.
Janë arritur marrëveshje edhe për agjencitë shtetërore
Krerët e tri grupeve etnike kanë rënë dakord edhe për pozicionet në agjencitë e shtetit. Serbët do të drejtojnë Agjencinë për Hetime dhe Mbrojtje si dhe Agjencinë Rregullative për Komunikim, ndërsa kroatët do të kenë postin e drejtorit të Drejtorisë Fiskale.
Liderët politikë kanë rënë dakord pra që dy postet më të rëndësishme t'u takojnë serbëve. Ndërsa boshnjakët do të udhëheqin me Agjencinë e Dokumentave të Identifikimit si dhe Agjencinë e Evidencës dhe Shkëmbimin e të Dhënave.
Finacimi për vitin 2012
Buxheti i institucioneve të shtetit në vitin 2012 do të jetë i ngjashëm me atë të vitit 2010. Ndërkohë që tani duhet mundësuar financimi i agjencive të reja. Liderët politikë kanë rënë dakord edhe për regjistrimin e banorëve të Bosnjë-Hercegovinës si dhe sistemin e ndihmave të shtetit. Sa i përket regjistrimit, ata kanë rënë dakord që të shlyhen neni i konstestuar 48 i Ligjit për shtetësinë në B-H.
Në këtë takim morën pjesë Sulejman Tihiq, Millorad Dodik, Mlladen Bosiq, Dragan Çoviq, Bozho Lubiq dhe Zllatko Lagumxhija.
Marrëveshja përshëndetet nga organizata të ndryshme
Realizimi i tërësishëm i kësaj marrëveshjeje do të ishte një hap shumë i rëndësishëm në procesin e integrimeve evropiane, vlerëson analisti Ivica Qavar. Këshilli i Ministrave do të ketë mundësinë e realizimit të kërkesave dhe paraqitjes së kandidaturës për statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
"Me rëndësi është që të arrihet marrëveshje edhe për regjistrimin në Bosnjë-Hercegovinë", thotë Qavar duke shtuar se qytetarët e këtij vendi kanë paguar një çmim të lartë të mosmarrëveshjeve të 14 viteve të fundit. Gjatë vitit 2011 Parlamenti i Bosnjë-Hercegovinës ka miratuar vetëm 12 ligje dhe ka refuzuar gjashtë projektligje të tjera.
Marrëveshjen e liderëve politikë e kanë përshëndetur edhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në këtë vend. "Është shumë me rëndësi që liderët vendorë kanë rënë dakord për ligjet e një rëndësie të veçantë në procesin e integrimeve evropiane", kumtoi delegacioni i BE-së në Sarajevë.
Autoritetet ndërkombëtare kanë kërkuar prej palëve që të zbatojnë në tërësi marrëveshjet e arritura dhe të sigurojnë mjetet financiare për zbatimin e tyre. Liderët e shteteve kryesore kanë shprehur kënaqësi për shkak të "atmosferës konstruktive dhe kompromiseve të arritura". Vlerësimet e tyre përputhen me ato të Dodikut i cili tha: "Nuk e kemi arritur gjithçka që kemi kërkuar, por askush nuk i ka realizuar të gjitha".
I vetmi i pakënaqur ishte njëri prej përfaqësuesit kroatë Bozho Lubiq, i cili këtë dokument e ka nënshkruar me kusht. Problemi kryesor mes kroatëve është që ata ende nuk kanë arritur marrëveshje për ndarjen e posteve mes partive të tyre politike.
Autor: Samir Huseinoviq/Bahri Cani
Redaktoi: Lindita Arapi