1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Balotazhi në Kosovë: BE thirrje për zgjedhje të drejta

Bekim Shehu / Prishtinë1 Dhjetor 2013

Kosova voton sot në 25 komuna. BE e përfaqësuesit e vendeve perëndimore në vend, presin që procesi i zgjedhjeve komunale të përfundojë me një raund të dytë të lirë dhe të drejtë në mbarë Kosovën.

https://p.dw.com/p/1AQWm
A woman casts her ballot at a polling station in Belgrade, Serbia, Sunday, May 6, 2012. Serbia, a landlocked nation of 7.1 million people in southeast Europe, is holding presidential, parliamentary and municipal elections Sunday. Whoever wins could affect Serbia's future relations with the European Union as well as Kosovo, a one-time province whose declaration of independence Serbia has refused to accept. (Foto: Marko Drobnjakovic/AP/dapd)
Serbien WahlFotografi: dapd

Në Kosovë zhvillohet sot (01.12) raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë komunash. KQZ njofton se zgjedhje organizohen në 25 komuna të Kosovës, për faktin që kandidatët në raundin e parë që u zhvillua me 3 nëntor nuk arritën të sigurojnë vota më shumë se 50 % për t'u zgjedhur kryetar komune. Kësaj radhë në garë janë vetëm nga dy kandidatë. Zgjedhje do të ketë edhe në katër komunat e veriut të Kosovës të banuara më shumicë serbe.

Prania ndërkombëtare bën thirrje për zgjedhje të qeta

Kosovo Kommunalwahl 2013
Fotografi: DW/R. Alija

Dy ditë para balotazhit, shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar dhe ambasadorët e vendeve më të industrializuara, me një deklaratë të përbashkët bëjnë thirrje për zgjedhje të qeta dhe të drejta. "Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, është një mundësi e madhe për Kosovën, në mënyrë që autoritetet përgjegjëse të dëshmojnë se raundi i parë ishte vetëm fillimi i një sërë përmirësimesh në procesin zgjedhor dhe në mënyrë që qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike për t'i zgjedhur liderët e tyre”, thuhet në deklaratë.

Përfaqësuesit ndërkombëtare në Kosovë thonë se “dalja e gjerë në zgjedhje e qytetarëve të Kosovës në raundin e parë ka treguar se qytetarët presin me padurim të jenë pjesëmarrës dhe të vendosin”.

“Demokracia funksionon me të vërtetë vetëm atëherë kur njerëzit janë të lirë të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar dhe për të shprehur opinionet e tyre politike individuale, pa ndërhyrje ose kërcënim. Kjo është mënyra më e mirë për ta ndihmuar Kosovën ta mbajë progresin e arritur drejt rrugës së saj evropiane”.

Misioni vëzhgues i BE-së dhe ENEMO do të monitorojnë balotazhin në Kosovë

Misioni i Bashkimit Evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve do të monitorojë sërish procesin zgjedhor të cilët bashkë me vëzhguesit e tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë do ta vlerësojë siç thuhet paanësinë e këtij procesi.

“Në veri të Kosovës prezenca e përbashkët e Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it ka dëshmuar të jetë një mjet efikas për të siguruar këtë proces, duke ua mundësuar kështu KQZ-së dhe OSBE-së që t'i realizojnë rolet e tyre përkatëse”, shprehen në një deklaratë të përbashkët përfaqësuesit e pranisë ndërkombëtare në Kosovë.

Edhe kësaj radhe forca të shtuara të organeve të rendit do të ketë në veri të Kosovës. Policia e Kosovës, misioni EULEX dhe Forcat Paqeruajtëse të KFOR-it, tashmë ka kohë që kanë hartuar planin e përbashkët të menaxhimit të situatës së sigurisë gjatë balotazhit në veri të Kosovës.

Organet e rendit do të reagojnë me vendosmëri nëse paraqitet nevoja

“Popullata në veri të Kosovës mund të presin një prani të zgjeruar të Policisë së Kosovës jashtë qendrave të votimit, të mbështetura dukshëm nga EULEX-i. KFOR-i do të jetë i pranishëm në afërsi të qendrave të votimit dhe në fusha të tjera kyçe në mënyrë që të sigurojë një ambient të qetë dhe të sigurt si dhe liri të lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë, sipas mandatit të tyre”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të policisë së Kosovës, misionit EULEX dhe KFOR-it.

NATO thirrje për zgjedhje të qeta

Votime do ketë edhe në qendrat në veri të Kosovës.
Votime do ketë edhe në qendrat në veri të Kosovës.Fotografi: DW/R. Alija

Thirrje për zgjedhje të qeta në veri të Kosovës bëri edhe komandanti suprem i NATO-s, gjenerali Philip M. Breedlove, i cili të enjten qëndroi në Kosovë.

“Nga rezultati përfundimtar që do të prodhojë ky proces, palët duhet të shfrytëzojnë rastin dhe të vazhdojnë më tej me dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, i cili edhe mundësoi që zgjedhjet të zhvillohen për të parën herë edhe në veri të Kosovës”, tha gjenerali Philip M. Breedlove.

Sidoqoftë, të premten me datën 29.11, është dita e fundit e fushatës zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Që nga fillimi i fushatës për zgjedhjet lokale, veriun e Kosovës vazhdimisht e vizitojnë zyrtarë të lartë të qeverisë së Serbisë, duke u bërë thirrje serbëve që të dalin në zgjedhje.