1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Banka Botërore njofton strategji të re partneriteti me Shqipërinë

16 Korrik 2010

Banka Botërore do të aplikojë në katër vitet e ardhshme një strategji të re të partneritetit me Shqipërinë. Projektet e reja së bashku me IFC (Korporatën Ndërkombëtare Financiare) arrijnë në rreth 325 milionë dollarë.

https://p.dw.com/p/ONF4
Selia e Bankës Botërore në Uashington DC
Fotografi: ullstein bild - Fotoagentur imo

Strategjia e re vjen pas një historie partneriteti të frytshëm mes BB dhe Shqipërisë, të nisur që në vitin 1991. Në njoftimin për shtyp të Bankës Botërore, pas diskutimit në Uashington të kësaj strategjie, treguesi më domethënës i këtij partneriteti, vlerësohet rritja ekonomike mesatare prej 6%. Kjo rritje është cilësuar më e shpejta në Europë. Shqipëria, vë në dukje BB futet në grupin e vendeve të pakta, që "në kushtet e krizës globale ekonomike dhe financiare ka ruajtur vitin e kaluar nivele pozitive të rritjes dhe të stabilitetit financiar"

Por kjo nuk mjafton. Shqipërisë i duhet të përballet, në katër vitet e ardhshme, me sfidat e rritjes së ritmeve të zhvillimit, përmirësimit të infrastruktures, mbrojtjes se mjedisit, pa lënë mënjanë rritjen e mbështetjes sociale për shtresat e varfëra.

Drejtimet kryesore dhe sektorët prioritarë të strategjisë së re

Përfaqësuesja e BB në Shqipëri Camille Nuamah tregon drejtimet kryesore ku do të përqëndrohet strategjia e re, për periudhën 2011- 2014.

Një grua e moshuar kërkon lëmoshë në një rrugë të Tiranës.
Reduktimi i varfërisë prioritet.Fotografi: DW / Cama

“Drejtimi i parë është përshpejtimi i ritmeve të rritjes ekonomike me anë të përmirësimit të konkurrueshmërisë dhe klimës së biznesit. Drejtimi i dytë i strategjisë së re është zgjerimi dhe thellimi i mbështetjes sociale,mbrojtja e të varfërve nga lëkundjet ekonomike. Drejtimi i tretë lidhet me reduktimin e vulnerabilitetit të Shqipërisë ndaj ndryshimeve klimaterike, konkretisht përmirësimi i ruajtjes dhe menaxhimit të ujit, përballimi i fatkeqësive natyrore” - thotë Znj.Nuamah.

Sektorët prioritarë të strategjisë së re të Bankës Botërore do të jenë sektori energjetik, infrastruktura, furnizimi me ujë i popullsisë, mjedisi dhe çështjet e regjistrimit të pronës.

Përfaqësuesja e Bankes Botërore në Shqipëri, Camille Nuamah, i konsideron këta sektorë një reflektin të fokusit rajonal, në Ballkanin Perëndimor dhe të përfshirjes së tij në proceset integruese europiane.

Reduktimi i varfërisë në vëmendjen e strategjisë së re të Bankës Botërore

Camille Nuamah, përfaqësuese e Bankës Botërore në Shqipëri.
Camille Nuamah, përfaqësuese e Bankës Botërore në Shqipëri.Fotografi: DW/Ruci

Strategjisë së re të BB në katër vitet e ardhshme në Shqipëri nuk do t'i mungojnë projektet për uljen e varfërisë. Ky dimension i partneritetit të BB me Shqipërinë ka rezultuar efikas në peridhën 2002- 2008. Sipas të dhënave të Bankës Botërore niveli i varfërisë në Shqipëri u ul nga 25% që ishte në vitin 2002 në 12% në vitin 2008. Por klasifikimi disa javë më parë i Shqipërisë nga EUROSTAT-i si vendi më i varfër i Evropës, tregon se varfëria mbetet një nga problemet më të mprehta sociale.

Përfaqësuesja e BB, Camille Nuamah, e pranon se në zonat malore, kryesisht në verilindje të Shqipërisë niveli i varfërisë mbetet i lartë. Por shtresat e varfëra po rriten edhe në zonat urbane, si pasojë e papunësisë, uljes së dërgesave nga emigrantët në Greqinë fqinje, që nuk po del ende nga kriza. Për të mbështetur shtresat e varfëra strategjia e re e BB përmban projekte të posaçme.

Banka Botërore ka dy projekte: atë të operacioneve financiare që mbështesin buxhetin e shtetit dhe të dytin atë të projekteve të investimeve në zonat me popullsi në varfëri ekstreme. BB ka ekspertizë të pasur teknike ne këtë fushë dhe do të japë ndihmesën e saj edhe për të patur një ndikim pozitiv qoftë edhe afatshkurtër” - thotë Camille Nuamah.

Në linjë me strategjinë kombëtare të zhvillimit dhe integrimit europian

Strategjia e re e BB është rezultat i konsultimeve me qeverinë e Tiranës, Parlamentin, biznesin dhe shoqërinë civile. Burime nga Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave thanë se konsultimet kanë filluar në janar të këtij viti. Ato kontribuan që strategjia e re e BB të ndjekë prioritetet e strategjise kombëtare të zhvillimit ekonomik dhe të procesit të integrimit europian të Shqipërisë.

Partneriteti në shifra

Shqipëria është anëtare e BB që në vitin 1991. Në harkun kohor të pothuajse 20 viteve BB e ka mbështetur Shqipërinë me një shumë prej 1,4 miliard dollarësh dhe ka realizuar 68 projekte. Filozofia e BB është realizimi i projekteve në sektorë prioritarë që mbështesin Shqipërinë të arrijë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social, që është baza e progresit në proceset integruese europiane.

Rreth 15 projekte aktive të BB në sektorët prioritarë të energjisë, furnizimit me ujë të pijshëm, arsimit, shëndetësisë,mjedisit, infrastrukturës bashkiake vazhdojnë të realizohen në Shqipëri Gjithashtu edhe 10 projekte të IFC ( Korporata Ndërkombëtare Financiare) me një vlerë prej 185 milionë dollarësh.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Eliana Xhani