Banka Botërore parashikon një rritje të lehtë për vendet e EJL-së
18 Qershor 2013Sipas raportit më të fundit të Bankës Botërore mbi Zhvillimin Ekonomik të Evropës Juglindore prezantuar të martën (18.06.2013)në Prishtinë, grupi i gjashtë vendeve të Evropës Juglindore po shkon drejt një ringritjeje të brishtë ekonomike, nxitësit e së cilës janë rimëkëmbja e energjisë elektrike, e bujqësisë dhe e disa eksporteve. Abebe Adugna, Kryeekonomist në Bankën Botërore për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore si dhe bashkëautor i raportit, thotë se: "Flukset bruto të kapitalit drejt vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme tani janë 60 për qind më të larta se ato para një viti, duke treguar një fund të ndikimeve më serioze ndaj këtyre vendeve prej tkurrjes së kreditimit në Eurozonë duke përfshirë edhe ekonomitë e gjashtë vendeve të Evropës Juglindore. Ndonëse ringritja do të jetë përgjithësisht e brishtë, ekonomitë e gjashtë vendeve do të jenë në rritje.”
Kosova do të ketë rritjen më të lartë ekonomike në rajon
Ndërsa, sipas Yvonne Tsikata, Drejtore e Bankës Botërore për Uljen e Varfërisë dhe Menaxhimin Ekonomik për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore: "Përveç ruajtjes së stabilitetit makroekonomik dhe rifillimit të rritjes ekonomike, vendet duhet të rifitojnë inercinë e periudhës para krizës për të ndërmarrë reformat dhe politikat për përmirësimin e mjedisit për ndërmarrjet e reja dhe ato ekzistuese, për gjallërimin e ekonomisë dhe për krijimin e vendeve të punës, si dhe për të mbështetur gatishmërinë e punëtorëve për të kapur mundësitë e vendeve të reja të punës."
Sipas raportit, falë investimeve madhore publike dhe një fluksi të rëndësishëm të remitancave Kosova përsëri pritet të ketë rritjen më të lartë nga të gjitha vendet në rajon(3.1 për qind. Ndërsa, një nga shqetësimet kryesore në këtë ringritje të re, është se ekonomitë e gjashtë vendeve të Evropës Juglindore vazhdojnë të jenë të goditura nga papunësia e lartë, vendet nuk po krijojnë vende pune shpejt sa duhet dhe situata e vendeve të punës është më keq sesa sugjerohet nga shifrat e zymta të papunësisë, duke pasur parasysh se shumë largohen nga rajoni për t'u punësuar diku tjetër.