1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Banka Botërore shuplakë Merkelit për menaxhimin e krizës

10 Tetor 2011

Pa koncept, pa vizion: Presidenti i Bankës Botërore, Robert Zoellick, ka kritikuar ashpër qeverinë gjermane. Ai akuzon Merkelin se po i del ballë krizës pa plan të qartë. Kjo do të kushtojë më shumë, ka thënë ai.

https://p.dw.com/p/12p3o
Presidenti i Bankës Botërore, Robert Zoellick
Presidenti i Bankës Botërore, Robert ZoellickFotografi: picture-alliance/dpa

Vërtet tonet nga Uashingtoni nuk janë miqësore. Presidenti i Bankës Botërore, Robert Zoellick ka kritikuar me tone të ashpra mungesën e rolit udhëheqës të Gjermanisë në krizën e euros. Kancelarja Merkel nuk ka treguar vizion për kapërcimin e krizës, ka thënë Zoellick në një intervistë të botuar pjesërisht në "Javën Ekonomike".

Ku janë vizionet?

"Shumë gjëra në politikë bëhen si me zor, pa vizion, por ekonomia dhe tregjet kanë nevojë për orientim dhe qartësi", ka theksuar Zoellick. Kur para 20 vjetësh u shpërbë blloku lindor, kancelari i atëhershëm Helmut Kohl kishte një vizion, se si duheshin zhvilluar gjërat. Kjo tani mungon, dhe sa më shumë që të zgjasë kjo gjendje, aq më shumë para kushton kjo, dhe aq më pak opcione për zgjidhje do të ketë".

Presidenti i Bankës Botërore, Zoellick, kritikon se Evropa ende nuk ka një koncept, se si duhet ta zgjidhë krizën. Me ombrellën e shpëtimit, sipas tij, evropianët vetëm se kanë fituar pak kohë. "Nuk dua ta kritikoj këtë, por kjo nuk e zgjidh problemin."

Zoellick i bëri thirrje Gjermanisë të marrë më shumë përgjegjësi për të zgjidhur krizën. "Gjermania edhe për shkak të madhësisë së saj, luan një rol të rëndësishëm". Ai kujtoi se vende të tjera të rëndësishme si Franca apo Italia janë të zëna aktualisht më shumë me problemet e tyre. "Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, ndodhet para zgjedhjeve presidenciale, Italia po përfshihet nga turbulencat, Britania e Madhe nuk është pjesë e eurozonës."

Taksapaguesit gjermanë duan t'u tregohet një kurs i qarte, kanë thënë Presidenti i Bankës Botërore,"që udhëheqja politike t'u thotë, se në çfarë rruge po shkon Evropa, nëse do të krijohet një union politik dhe financiar për të mbrojtur eurozonën. "

Që në fillim të shtatorit erdhi kritika e parë nga shefi i Bankës Botërore, duke paralajmëruar se ekonomia botërore "po hyn në një zonë të re rreziku."

Autor: Susanne Eickendorfer/Lindita Arapi

Redaktoi: Angjelina Verbica