1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Banka Evropiane për Zhvillim i ngrin financimet për Turkmenistanin

Christiane Hoffman26 Korrik 2004

Turkmenistani ndodhet në pjesën më jugore të ish Republikës Sovjetike në Azinë Qëndrore. Ka 10 vjet tashmë që ky vend është autonom dhe që udhëhiqet në mënyrë autokrate nga Saparmurat Nijasov. Falë tij vendi është izoluar krejtësisht nga bota. Ekonomia është shumë e dobët dhe nuk ka asnjë sinjal për demokraci apo ekonomi tregu. Banka Evropiane per Zhvillim EBDR vendosi tani ti ngrijë të gjitha financimet për këtë shtet.

https://p.dw.com/p/AsAd
Asnjë dollar për tiranin Nijasov
Asnjë dollar për tiranin NijasovFotografi: AP

Presidenti Nijasov u informua nëpërmjet një shkrese nga Banka Evropiane për Zhvillim se një herë për një herë Turkmenistani nuk do të marrë më para nga ajo. Kjo do të thotë ngrirjen e marrdhënieve të Turkmenistanit me një nga institucionet më të mëdha financiare. Gjatë 12 viteve të fundit, Banka Evropiane për Zhvillim financoi në Turkmenistan shumë projekte të mëdha shtetërore në industrinë e tekstilit dhe për modernizimin e portit detar. Vetëm vitin e kaluar kjo bankë i dha Turkmenistanit 500 milionë dollarë. Por Johnny Akerholm, sekretari i përgjithshëm i Bankës për Zhvillim shpjegon se kjo ishte hera e fundit:

"Ne e bëmë të qartë nëpërmjet një letre, që presidenti ynë i dërgoi presidentit Nijasov, në të cilën ai shprehu shqetësimin për të drejtat e njeriut në Turkmenistan dhe mënyrën e tij qeverisëse. Në fushën ekonomike ka shumë ndërhyrje të qeverisë në sektorin privat dhe sistemi monetar në vend funkcionin shumë keq" - thotë ai.

Sipas Paul Georg Geiss nga instituti Orient i unversitetit të Hamburgut, ky fenomen nuk do të ndryshojë shpejt. Turkmenistani qeveriset në mënyrë autoritare dhe nacionaliste. Presidenti Nijasov e quan veten babai i turkmenëve. Ai e ka izoluar krejtësisht vendin dhe ka 2 vjet që e ka likuiduar të gjithë opozitën. Ministrat e tij kanë kërkuar azil jashtë vendit. Por Paul Geiss është i mendimit se presidenti Nijasov nuk do të bëhet shumë merak, se Banka Evropiane për Zhvillim nuk do ta financojë më vendin:

"Nuk besoj se Nijasov do të shqetësohet. Turkmenstani ka arritur të krijojë një sektor ekonomik relativ stabil përsa i përket kursimit të valutave. Pra vendi ka arritur një rritje të ekonomisë, me të cilën mund të përballojë njëherë për njëherë sankcione të mundshme" - mendon Geiss.


Valutat vijnë nga eksportimi i lëndës së gazit, tekstili dhe prodhimet kimike duke i sjellë vendit një rritje ekonomike prej 11% - bën të ditur banka e Zhvillimit në Londër. Qeveria e Nijasovit flet për një rritje prej 20%. Askush nuk i di shifrat e sakta. Por 5 milione turkmenët, sidomos ata që jetojnë jashtë kryeqytetit Ashgabad nuk e ndjejnë përparimin ekonomik të vendit. Fitimet e shitjes së naftës dhe gazit derdhen direkt nëpër xhirot bankare që ka të drejtë ti kontrollojë vetëm presidenti. Vetëm kryeqyteti përfiton nga kjo, mendon Geiss:

"Pjesët e tjera të vendit nuk përfitojnë aspak. Ndryshimi mes atyre pak turkmenëve që punojnë në sektorin privat të naftës dhe shumë të tjerëve që janë të papunë është shumë i madh."

Firmat turkmene nuk lejohen të bëjnë biznes në vend dhe diskriminohen nga presidenti Nijasov, i cili merr biznesmënë turkë për të punuar. Presidenti ka frikë se i humb fuqia nëse e lejon pjesën e mesme të zhvillohet, mendon shkencëtari Geiss. Madje duket sikur ideja e Bankës Evropiane për Zhvillim që tani të financojë vetëm projekte firmash private në Turkmenistan, nuk duket sikur do të ndryshojë gjë. Sepse sipas ish zëvendëskryeministrit dhe zëvendësshefit të Bankës Qëndrore turkmene, Chudaiberdi Orasov, kjo ide u provua që në vitet ´90 pa sukses:

"Banka Evropiane për Zhvillim ra me ne dakord në vitin 1996 për një kontratë prej 25 milionë dollarësh, për të financuar projektet e firmave private të shtresës së mesme. Por shtresa e mesme nuk pa asnjë dollar. Presidenti Nijasov tha se vetëm ai kish të drejtë të vendoste se kush do ti merrte kreditet. Por edhe pasi iu dha një listë me propozime, ai nuk pranoi asnjë nga ato."

Por sektori privat nuk është i vetmi ku nuk punohet sic duhet. Edhe sketori shtetëror çalon. Mijëra njerëz u pushuan nga puna ose duhet tu jepnin para shefave të tyre për të mos e humbur vendin e punës. Meqënëse presidenti çdo 6 muaj pushon nga puna të gjithë ministrat dhe zyrtarët e lartë qeveritarë, as që mund të bëhet fjalë për punë të vazhdueshme apo për reforma. Tirani Nijasov nuk do reforma. Fatkeqësisht nuk ka asnjë alternativë. Madje ekspertët mendojnë se shteti do të marrë fund nëse Nijasov do të tërhiqet dikur nga posti i tij.