1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Banka gjermane Commerzbank do të shfrytëzojë paketën e ndihmës të qeverisë gjermane për degën e financave

Jan Plate3 Nëntor 2008

Fondi i veçantë për stabilizimin e tregut financiar do t'i vërë në dispozicion institutit Commerzbank një kapital me vlerë 8,2 miliardë euro. Ky kapital do të llogaritet tërërisht si pjesë e kapitalit bërthamë.

https://p.dw.com/p/FmlX
Qendra e Commerzbank
Qendra e CommerzbankFotografi: AP

Në bursë u spekulua që të premten dhe pati zëra se banka Commerzbank do ta shfrytëzonte paketën e ndihmës të qeverisë gjermane. Kjo bëri që të premten kursi i aksioneve të Commerzbank-ës të binte me gjashtë për qind, gjë që tregtarët e arsyetuan me shqetësimet për dividendin. Tani, në fillim të javës, ka të reja nga Commerzbank-a. Ajo do ta përdorë paketën e ndihmës. Kapitali bërthamë i Commerzbank-ës do të fuqizohet me 8,2 miliardë euro. Më tej fondi i jep bankës si opsion një garanci për obligacione me vlerë 15 miliardë euro.

Si pasojë, Commerzbank-a nuk do të paguaj dividend për vitet 2009 dhe 2010. Për manaxherët do të ketë gjithashtu pasoja tek paga. Shpërblimet shtesë për 2008-ën dhe 2009-ën nuk do të paguhen. Paga e kryetarit të bordit drejtues të Commerzbank-ës do të kufizohet në 500 mijë euro.

Interesant do të jetë reagimi i bankave të tjera gjermane. Drejtori i bankës Deutsche Bank tha, se kjo bankë nuk do të ketë nevojë për një kohë të caktuar për paketën e shpëtimit.

"Siç e gjykojmë ne gjendjen sot, nuk do ta kërkojmë këtë ndihmë sepse jemi të fortë. Jemi kujdesur shumë herët që fuqia e kapitalit tonë të përmirësohet. Kemi nxjerrë fitim edhe në kohë shumë të vështira, dhe kemi një bazë shumë, shumë të fortë rifinancimi; për këtë arsye nuk na nevojitet çadra shpëtuese."