1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Banka Qendrore Evropiane uli me 0,5 për qind normën e referimit për interesat

5 Mars 2009

Ky është niveli më i ulët i interesit në bashkimin monetar evropian që prej futjes së monedhës euro.

https://p.dw.com/p/H6SD
Vendet e reja anëtare të BE-së jane tregje tërheqëse për vendet e industrializuara evropianoperëndimore dhe në këtë mënyrë partnerë shumë të rëndësishëm
Megjithë recesionin vendet e reja anëtare të BE-së jane tregje tërheqëse për vendet e industrializuara evropianoperëndimore dhe në këtë mënyrë partnerë shumë të rëndësishëmFotografi: picture-alliance/ dpa

Ulja e normës së interesit synon t'i japë një nxitje ekonomisë në eurozonën e prekur nga kriza globale. Efekti i kësaj mase nuk është i menjëhershëm siç shpjegoi në një takime mbi krizën ekonomike globale në radion Deutsche Welle makroekonomisti drejtues i bankës gjermane Postbank, Dr. Marco Bargel.

"Zakonisht vihet në veprim mekanizmi i transmisionit. Deri në mbërritjen e uljes së normës së interesit në ekonomi nevojitet njëfarë kohe. Në të shumtën e rasteve bëhet fjalë për një gjashtëmujor ose për një vit. Është vërtetuar në mënyrë empirike që zgjat kaq kohë deri sa bëhen të ndjeshme impulset për koniunkturën. Këto impulse janë të konsiderueshme, së paku kështu ka qenë në të kaluarën. Një rregull i përafërt thotë se në varësi të vendit një ulje e normës së interesit me 2 për qind sjell impulse rritjeje shtesë prej 0,5 për qind. Aktualisht po diskutohet mjaft për atë nëse ky rregull vlen edhe në këtë kohë krize. Them se ka faktorë pengues, siç është aspekti i mbledhjes dhe mbajtjes së parave nga ana e bankave, të cilat nuk e hedhin këtë likuiditet në qarkullimin e zakonshëm monetar. Ky është një aspekt që pengon eficiencën e politikës monetare në kohën e krizës." - tha Bargel.

Përsa i përket Evropës Lindore Bargel theksoi se kjo zonë ka rëndësi edhe për bankën e tij, por në dallim nga sektori bankar austriak rreziku i saj në këtë sektor nuk është aq i madh. Vendet e reja anëtare të Bashkimit Evropian paraqesin tregje tërheqëse për vendet e industrializuara evropianoperëndimore dhe në këtë mënyrë partnerë shumë të rëndësishëm. Një tjetër aspekt pozitiv përbën në këtë kuadër hyrja e mundshme e këtyre vendeve në hapësirën monetare evropiane. Megjithatë, thotë Bargel, vendet evropianolindore kanë në përgjithësi problemin e deficiteve të mëdha në bilancin tregtar:

"Jo vetëm shtete evropianolindore, por edhe vende që deri tani kanë dashur të kenë politikë të pavarur monetare shohin tani avantazhet e të qenit pjesë e një bashkësie të madhe, faktin që kursi i këmbimit për monedhën e tyre nuk do të gjendej para së njëjtës trysni. Pikërisht kjo po ndodh tani në Poloni, Hungari, Çeki dhe vende të tjera. Monedhat e këtyre vendeve gjenden nën presion të madh. Por këtu edhe do të diferencoja. Vendet evropianolindore kanë në përgjithësi problemin e deficiteve të mëdha në tregtinë e jashtme dhe e kushtëzuar prej kësaj edhe borxhe të mëdha. Për këtë arsye ato përballen me sulme spekuluese."

Përsa i përket Gjermanisë Bargel parashikon një përmirësim të lehtë të gjendjes ekonomike në gjashtëmujorin e dytë të vitit.

Autor: Elert Ajazaj