1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

211211 Europa 2 Banken EZB

23 Dhjetor 2011

Banka Qendrore Evropiane të mërkurën hodhi gati 500 miliardë euro në sektorin bankar evropian. 523 banka iu drejtuan ofertës së bankës emetuese evropiane, për të siguruar kredi trevjeçare me normë të ulët interesi.

https://p.dw.com/p/13Ygd
Foto simbolike e euros
Foto simbolike e eurosFotografi: AP

Në luftën kundër kërcënimit nga një ngushticë e re kredish, Banka Qendrore Evropiane (ECB) u ka ofruar bankave në Eurozonë likuiditet me një injeksionin të pashembullt parash prej rreth 500 miliardë eurosh. Më shumë se 520 institute kredie kanë kërkuar të përfitojnë nga linja e kredisë me një afat trevjeçar dhe normën e interesit të ECB-së, bëri të ditur vetë banka të mërkurën (21.12.). Kërkesa shumë e madhe prej rreth 489 miliardë eurosh habiti edhe vetë ekspertët, të cilët llogarisnin me 310 miliardë euro.

Reagimet fillestare pozitive

Michael Kemmer, drejtuesi i shoqatës së bankave gjermane mendon se ky aksion do të ndihmojë në shtimin e besimit në sektorin bankar: "Bankat i kanë dhënë pak para njëra-tjetrës, i gjithë tregu ishte shumë i tensionuar. Përmes masës së Bankës Qendrore Evropiane, për t'u vënë bankave në dispozicion një linjë kredie me afat të gjatë dhe normë të butë interesi, do të rritet sërish besimi."

Edhe ekonomistë të tjerë nga sektori bankar u shprehën pozitivisht. Eksperti i bankës Commerzbank Michael Schubert vlerësoi pozitivisht që një numër kaq i madh bankash e shfrytëzuan mundësinë e rifinancimit afatgjatë.

Bankat italiane marrin një të tretën e linjës së kredisë

Mario Draghi, Presidenti i ECB
Mario Draghi, Presidenti i ECBFotografi: dapd

Edhe investuesit reaguan me lehtësim ndaj vendimit të ECB-së, pasi paratë e vëna në dispozicion nga linja e kredisë bankat duhet t'i përdorin për rifinancimin e borxheve të tyre por edhe për t'u dhënë kredi firmave apo për blerjen e obligacioneve të vendeve të Eurozonës në gjendje të vështirë.

Ishin veçanërisht bankat italiane ato që u vunë në radhë për të përfituar nga linja e kredisë: më shumë se 12 institute kredie italiane, ndër të cilat edhe banka të mëdha si Unicredit dhe Intesa Sanpaolo. Ato kanë marrë rreth 116 miliardë euro kredi, ose rreth një të tretën e linjës së kredisë së ECB-së. Por shoqata e bankave italiane bëri pa vonesë të qartë se paratë nuk do të përdoren për blerjen e obligacioneve shtetërore.

Valë gjigante rifinancimi

Sfondi i aksionit të Bankës Qendrore Evropiane është kriza e borxheve në Eurozonë. Bankat evropiane i pret një valë gjigante rifinancimi, pasi përfundon afati i maturimit për rreth 725 miliardë euro borxhe, të cilat duhen kthyer ose u duhet zgjatur afati.

Vetë shefi i ECB-së Mario Draghi paralajmëroi në fillim të javës (20.12.'11) për një vit tejet të vështirë për bankat. Veçanërisht në tremujorin e parë të vitit, bankat do ta kenë të vështirë të sigurojnë likuiditet. Kjo mund të sillte një ngushticë kredish që mund ta zhyste gjithë Evropën në një recesion, deklaroi Draghi.

Banka Qendrore Evropiane me linjën e kredisë për bankat synon të arrijë dy qëllime njëherësh: të shmangë ngushticën e kredive dhe të gjallërojë kërkesën për obligacione shtetërore në Eurozonë, dhe kështu uljen e normave të interesit.

Jo vetëm ECB por edhe politikanët shpresojnë që bankat të përdorin një pjesë të parave nga linja e kredisë për blerjen e obligacioneve shtetërore të vendeve të Eurozonës. Oferta e ECB-së duket fitimprurëse: në formën e një transaksioni të ashtuquajtur "carry trade" i cili bazohet në diferencat në normat e interesit, bankat do t'i investonin paratë e marra me interes të ulët nga ECB në obligacione shtetërore të vendeve me borxhe të larta, të cilat ofrojnë norma shumë më të larta interesi.

Rreziku i fshehtë

Banka Qëndrore Europiane në Frankfurt mbi Main
Banka Qëndrore Europiane në Frankfurt mbi MainFotografi: AP

Por kritikët e akuzojnë ECB-në se me këtë aksion po kryen fshehurazi një financim shtetëror, të cilin e ka të ndaluar. Disa ekonomistë ankohen se kështu po bëhet një transferim i maskuar i parave të taksapaguesve në drejtim të sektorit financiar. Veç kësaj ekziston droja se vendet e Eurozonës mund t'i detyronin bankat e tyre t'i investonin paratë në obligacione shtetërore kundër bindjes së vetë bankave.

Zyrtarisht bankat janë të lira të veprojnë sipas gjykimit të tyre me paratë e marra nga ECB. Presidenti i ECB-së Mario Draghi theksoi se bankat do të vendosin vetë se çfarë do të bëjnë me paratë nga linja e kredisë. Një nga pritjet është që me këto para bankat të financojnë ekonominë reale, tha Draghi në intervistë me "Financial Times".

Autor: Eliana Xhani/ard,dpa, afp

Redaktoi: Mimoza Kelmendi