1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bankat greke vazhdojnë të boshatisen

Jannis Papadimitriou 13 Shtator 2015

Megjithë kontrollet e kapitalit bankat greke vazhdojnë të boshatisen. Vetëm në korrik u tërhoqën 1.4 miliardë euro.

https://p.dw.com/p/1GVk3
Fotografi: Reuters/Y. Kourtoglou

Sipas të dhënave të fundit të Bankës qendrore Greke në Athinë kursimet e grekëve ranë në fund të korrikut në nivelin e tyre më të ulët që nga viti 2003 dhe arrijnë tani në 120.8 miliardë euro. Ndërkohë që menjëherë pas mbylljes së bankave dhe futjes së kontrolleve të kapitalit në fund të qershorit, depozitat familjare dhe ato të ndërmarrjeve ishin 122.2 miliardë. Rezulton pra një humbje e konsiderueshme prej 1.4 miliardësh. Për krahasim, në muajin korrespondues të vitit të kaluar, grekët kishin tërhequr vetëm 276 milionë euro nga llogaritë e tyre bankare. Arsyeja e mundshme për këto tërheqje të heshtura është se bankat ende nuk e kanë rifituar besimin e qytetarëve, thotë Panajotis Petrakis, profesor i ekonomisë në Universitetin e Athinës, në një intervistë për DW. Gjithashtu, shumë njerëz kanë sipas tij frikë se mund të humbasin kursimet e tyre për të shpëtuar bankat, veçanërisht pasi rikapitalizimi i njoftuar për bankat mund të vazhdojë deri nga vjeshta.

Griechenland Bankautomaten Kunden Athen Alpha Bank
Fotografi: picture-alliance/dpa/S. Baltagiannis

Në Greqi, si në të gjitha vendet e tjera të BE-së, vlen gjithashtu sigurimi ligjor i depozitave bankare deri në një maksimum prej 100,000 eurosh. Megjithatë, kjo nuk është garanci evropiane, por kombëtare. "Personalisht, unë nuk mendoj se për momentin në Greqi depozitat mbi 100,000 janë euro në rrezik. Por frika ekziston dhe ndoshta nuk do të zhduket para rekapitalizimit të bankave," paralajmëron Profesor Petrakis. Ekonomisti sheh edhe një problem tjetër për rivendosjen e besimit tek institucionet financiare greke: shumë njerëz në Greqi janë larguar për shkak të krizës apo të detyruar nga nevoja nga sistemi bankar nisur shpesh nga pikëpamja e gabuar dhe iracionale se mund të jetojnë edhe pa bankat. "Pra, shumë veprojnë sipas motos: unë nuk kam gjithsesi shumë para në bankë, pra e gjitha as që më intereson. Ose ata jetojnë nga paratë e xhepit dhe mbështetja financiare e nënës apo gjyshit dhe bankat nuk u interesojnë më, ose marrëdhëniet ekonomike janë për këta njerëz thjesht jo më të prekshme ", paralajmëron ekonomisti.

Një paradoks grek?

Në këtë gjendje të befason pozitivisht lajmi se konsumi privat në Greqi duket se është shëruar në gjysmën e parë të vitit 2015. Nëse kjo prirje do të vazhdojë edhe pas kontrolleve të kapitalit që hynë në fuqi në fund të qershorit, mbetet për t'u parë. Sipas profesor Petrakis, rritja e konsumit privat nuk është befasi: "Nga njëra anë, kjo prirje lidhet ndoshta për shkak të frikës së shumë njerëzve se mund të humbasin kursimet e tyre. Por rritja e konsumit pas krizave është një fenomen që vihet re edhe ne vendet e tjera të krizës, si në Irlandë. Por shpenzimet lidhen kryesisht me reparimin e shtëpive, që kanë në Greqi për momentin konjunkturë të lartë." Prej kësaj rezulton ndoshta imazhi mashtrues i një ekonomie dinamike; por ky nuk mund të vazhdojë gjatë, paralajmëron ekonomisti.

Panajotis Petrakis, profesor i ekonomisë në Universitetin e Athinës
Panajotis Petrakis, profesor i ekonomisë në Universitetin e AthinësFotografi: DW/J. Papadimitriou

Sipas prognozës së profesor Petrakis në gjysmën e dytë të vitit ekonomia greke do të bjerë prej krizës sërish në recesion dhe ekonomia do ta mbyllë vitin 2015 me një minus prej 2%. I ngjashëm është edhe parashikimi i Komisionit të BE-së. Edhe për ministrin e Financave, Jorgos Kuliarakis, është e qartë: vetëm në vitin 2016, ekonomia greke do të mund të regjistrojë përsëri një rritje modeste.

Heqja e kontrolleve të kapitalit në horizont

Ndërkohë në Athinë qarkullojnë vlerësime të ndryshme se kur dhe në çfarë kushtesh mund të hiqen kontrollet e kapitalit. Sipas ministrit të Ekonomisë, Nikos Kristodulakis në qoftë se kushtet politike do të jenë të qëndrueshme kjo është krejt e mundur deri nga fundi i vitit. Luka Katseli, kryetar i Shoqatës së Bankave greke, mendon se heqja e kontrolleve të kapitalit do të bëhet vetëm kur bankat greke të jenë kapitalizuar në mënyrë adekuate dhe Banka Qendrore Evropiane (BQE) të rinisë financimin e tyre. "Hap pas hapi, por shpejt" masat restriktive do të shfuqizohen, siguroi ministri i Financave Jorgos Kuliarakis në një intervistë. Sipas vlerësimeve të gazetës javore të Athinës "To Vima" normalizimi i sistemit bankar do të shtyhet deri në qershor ose korrik 2016.

Sipas ministrit të Ekonomisë, Nikos Kristodulakis, së shpejti pritet liberalizimi i rregullave të kapitalit, sidomos lehtësimi i tranfertave të parave jashtë vendit deri në 5.000 euro dhe i porosive on-line. Sipas tij është e rëndësishme që sipërmarrjet e vogla dhe të mesme greke të pajisen me likuiditet të mjaftueshëm, në mënyrë që ato të mos i zhvendosin selitë e tyre jashtë Greqisë.