Bashkëpuntorët e organizatave të ndihmave në shënjestër të sulmeve në rajonet e krizave
22 Gusht 2009Elaine Caux e mban mend mirë momentin e shpërthimit. Bashkëpunëtorja franceze e UNICEF-it, i mbijetoi më 9 qershor shpërthimit të bombës në hotelin Continental në Pakistan. Si pasojë e këtij shpërthimi humbi jetën kolegu i saj, Aleksandar Vorkapiq.
„Me lot në sy, humba vetëdijen, sepse ndodhi diçka që nuk e kisha pritur. U shokova kur dëgjova për vrasjen e kolegut. Më vonë u detyrova t'i tregoj kolegëve për vdekjen e Aleksandrit, që për mua ishte shumë dramatike. Është kjo një gjendje shumë e çuditshme: nga njëra anë je e traumatizuar dhe e pikëlluar, ndërsa në anën tjetër mundohesh t'i largosh emocionet dhe të vazhdosh punën.“
Rritet numri i të vrarëve dhe shpeshtohen rrëmbimet
Aleksandar Vorkapiq ishte një nga tre bashkëpuntorët e OKB-së që u vranë gjatë këtij viti. Gjatë vitit të kaluar janë vrarë rreth 120 bashkëpunëtorë të OKB-së në rajonet e krizave. Para dhjetë vitesh, numri i të vrarëve ishte 36. Ndërkohë është shtuar shumë edhe numri i rrëmbimeve. Bashkëpuntorët e organizatave të ndihmave u nënshtrohen tani rreziqeve më të mëdha se më parë, thotë Veronique Taveau nga UNICEF-i.
„Kërcënimet dhe sulmet ndaj ndihmësve janë të papranueshme. Bashkëpunëtorët e OKB-së janë atje për të ndihmuar njerëzit që kanë nevojë, fëmijët dhe gratë. Ndihmësit kanë për qëllim zbutjen e pasojave të urisë, mbrojtjen e fëmijëve dhe përkujdesjen më të mirë mjekësore."
Sudani - vendi më i rrezikshëm në botë për bashkëpuntorët e OKB-së
Tri të katërtat e sulmeve ndaj ndihmësve të OKB-së janë zhvilluar në gjashtë vende. Sudani është vendi më i rrezikshëm, në veçanti zona e Darfurit. Por në rrezik janë edhe bashkëpunëtorët e OKB-së në Somali, Afganistan, Çad, Irak dhe Pakistan. Në këto vende ata shikohen prej grupeve terroriste dhe milicëve si përfaqësues të vendeve perëndimore.
Disa organizata janë tërhequr për shkak të rreziqeve në rajonet e krizave. Megjithatë OKB-ja ende nuk ka problem me rekrutimin e bashkëpunëtorëve për organizatat e ndihmave. Elaine Caux thotë se megjithë përjetimet traumatike do të vazhdojë punën e saj.
„Është kjo një dilemë e madhe e ndihmësve. Në njërën anë duan të punojnë dhe ndihmojnë, sepse prej punës së tyre varet ndoshta jeta e 1000 refugjatëve, por në anën tjetër e dinë se në rrezik është edhe jeta e tyre, që është më e vlefshmja për secilin."
Elaine Caux përpiqet që gjatë punës ta harrojë frikën, por nuk ia del gjithmonë. Pas kthimit nga Pakistani në Gjenevë i janë dashur dy javë për t'u qetësuar. Ajo e di se atje ka shumë rreziqe, por mendon sërish të kthehet dhe të ndihmojë njerëzit në nevojë.
Autor: Pascal Lechler / Auron Dodi
Redaktoi: Esat Ahmeti