Bashkësia ndërkombëtare bën thirrje për zgjedhje korrekte në Kosovë
2 Nëntor 2013Në Kosovë më tre nëntor votohet për kryetarët e komunave dhe këshilltarët e asambleve komunale. Zgjedhjet organizohet në 38 komuna të Kosovës, përfshi edhe komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës. Në këtë pjesë organizohen për herë të parë zgjedhjet lokale dhe një rol lehtësues luan edhe OSBE-ja. Zyrtarë të komisioneve zgjedhore bëjnë të ditur se në garë janë 103 subjekte politike, me 7.932 kandidatë. Të drejtë vote kanë 1 milionë e 779 mijë votues. Votimet zhvillohen në 798 qendra votimi.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, mblodhi në kabinetin e saj, të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës që garantojnë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Presidentja tha, se: "për këdo që mendon të manipulojë me vullnetin e qytetarëve ndëshkimi për këtë vepër penale do të jetë rigoroz".
"Vota e qytetarëve të Republikës së Kosovës është e paprekshme, dhe e lirë. Çdo përpjekje për ta prekur këtë votë dhe çdo përpjekje për të manipuluar me këtë të drejtë të qytetarëve të lirë të Republikës së Kosovës do të ndëshkohet fuqishëm", tha presidentja në një deklarëtë për media. Në këtë deklaratë ajo nënvizon, se pjesëmarrja masive e qytetarëve në votime, në çdo cep të Republikës së Kosovës, do të sigurojë zgjedhjen e përfaqësuesve legjitimë, që do të punojnë me përkushtim për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe për mirëqenien e përgjithshme në Kosovë.
Monitorim masiv i zgjedhjeve
Zgjedhjet lokale të tre nëntorit monitorohen nga mijëra vëzhgues vendas dhe ndërkombëtarë. Bashkimi Evropian ka dërguar për herë të parë një mision vëzhgimi në Kosovë të kryesuar nga Roberto Gualtieri, deputet në Parlamentin Evropian. Roberto Gualtieri, pas një takimi që zhvilloi me presidenten e Kosovës, tha se "misioni i BE-së, do të vëzhgojë nga afër gjithë procesin e zgjedhjeve dhe në përfundim të tij do të hartojë një raport lidhur me të gjithë ecurinë e procesit. Këto zgjedhje janë të rëndësishme për Kosovën dhe për proceset e saj integruese", tha Gualtieri.
Masa të forta sigurie
Për sigurinë e procesit zgjedhor më tre nëntor, sipas zyrtarëve të policisë, do të jenë të angazhuar mbi pesë mijë policë. Policinë e Kosovës do ta ndihmojnë edhe pjestarët e misionit EULEX, të cilët do të jetë më të përqendruar në veri të Kosovës. Zyrtarët e Policisë deklarojnë se në bazë të planit operacional janë marrë të gjitha masat që gjendja e sigurisë të jetë e qetë.
Apel i bashkësisë ndërkombëtare
Në një deklaratë të përbashkët, përfaqësuesi i BE-së në Kosovë Samuel Zhbogar dhe ambasadorët e vendeve më të industrializuara përfshirë dhe SHBA-në, bëjnë thirrje për një proces të drejtë zgjedhor. "Njësi matëse për suksesin e këtyre zgjedhjeve do të jetë nëse ato do të rezultojnë me zgjedhjen e liderëve legjitimë në secilën komunë të Kosovës, të zgjedhur në një proces të rregullt dhe nëse të metat që kanë ndodhur në të kaluarën nuk do të përsëriten", thuhet ne deklaratën e përbashkët nga përfaqësuesi i BE-së në Kosovë Samuel Zhbogar dhe ambasadorët e vendeve më të industrializuara përfshirë dhe SHBA-në.