1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE do të rishikojë marrëdhëniet me Egjiptin

dpa/Reuters/pp18 Gusht 2013

Shtetet e BE-së do të shqyrtojë urgjentisht ditët e ardhshme marrëdhëniet me Egjiptin.

https://p.dw.com/p/19RgD
Fotografi: Reuters

Bashkimi Evropian do të rishikojë ditët e ardhshme marrëdhëniet e tij me Egjiptin. Në një deklaratë Presidenti i Këshillit Evropian Herman Van Rompuy dhe Presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso u bënë thirrje të gjitha palëve në Egjipt të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të parandalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës.

"Për këtë qëllim, së bashku me shtetet e saj anëtare, BE-ja do të shqyrtojë urgjentisht ditët e ardhshme marrëdhëniet e saj me Egjiptin dhe do të miratojnë masa që synojnë arritjen e këtyre qëllimeve," thuhet në deklaratë.

Westerwelle: Dialogu rruga e vetme

Edhe ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle paralajmëroi për rrezikun e një lufte civile në Egjipt. Për Egjiptin nuk ka "asnjë zgjidhje të besueshme, paqësore dhe të qëndrueshme" me përjashtim të dialogut midis të gjitha palëve si dhe një fillim të ri që do të bashkojë të gjitha forcat politike, tha Westerwelle të shtunën (17.08.) gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm të Katarit Muhamed Khalid bin al-Attiyah në Berlin.

Westerwelle dhe ministri i Jashtëm i Katarit, Muhamed Khalid bin al-Attiyah (Berlin, 17.08.)
Westerwelle dhe ministri i Jashtëm i Katarit, Muhamed Khalid bin al-Attiyah (Berlin, 17.08.)Fotografi: picture-alliance/dpa

Ndihmat e perëndimit për Egjiptin

Megjithë brutalitetin e forcave egjiptiane të sigurisë, politologu gjerman Wolfgang Merkel mendon se nuk duhet të ndërpriten ndihmat ushtarake të perëndimit për Egjiptin. "Një pezullim i pagesave do ta izolonte ushtrinë dhe do ta përforconte kështu tërë konfliktin," tha politologu nga Berlini. "Perëndimi nuk duhet ta bëjë një gjë të tillë, dhe amerikanët me sa duket nuk do ta bëjnë këtë për shkak se në këtë mënyrë ata do të humbisnin shumë ndikim në rajon.» Shtetet e Bashkuara dërgojnë çdo vit rreth 1.3 miliardë dollarë (975 milionë euro) ndihma ushtarake për Kajron.