BE i tregon kufijtë Boris Johnsonit
26 Korrik 2019Presidenti në detyrë i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker e ka hedhur poshtë kërkesën e kryeministrit të ri britanik Boris Johnson, për të rinegociuar marrëveshjen e Brexit-it, të negociuar me paraardhësen e tij Theresa May. Përfaqësuesit e BE nuk kanë mandat për rinegociim, tha Junckeri në një bisedë telefonike me Johnsonin.
Kontakt i drejtpërdrejtë
"Presidenti Juncker dëgjoi atë që kishte për të thënë kryeministri Johnson", tha një zëdhënëse e Komisionit. Sipas kësaj, Junckeri përsëriti se marrëveshja e Brexitit ishte "marrëveshja më e mirë dhe e vetme e mundshme". Kërkesat e reja të Londrës mund të integrohen vetëm në deklaratën politike jo detyruese mbi marrëdhëniet e ardhshme pas daljes së Britanisë së Madhe nga BE. Megjithatë, zëdhënësia shtoi se Junckeri ishte i hapur për t'i shqyrtuar propozimet e Johnsonit.
Junckeri tha se donte të punonte në mënyrën më të mirë të mundshme me Johnsonin, shtoi zëdhënësja. Për të pasur një linjë të drejtpërdrejtë komunikimi, të dy kishin këmbyer numrat e tyre tëw celularëve.
Gjithçka "e papranueshme"
Johnsoni dëshiron t'i japë fund tërheqjes së vendit të tij nga BE "me çdo kusht" deri më 31 tetor. Këtë ai e theksoi në fjalimin e tij të parë parlamentar në postin e ri. Kjo e bën më të mundshme largimin e Britanisë nga BE pa marrëveshje. Marrëveshjen e May-t për Brexitin Johnsoni e quajti në Dhomën e Poshtme të parlamentit në Londër "të papranueshme". Nga ana e tij krynegociatori i BE për Brexitin, Michel Barnier, i hodhi poshtë si "të papranueshme" kërkesat e Johnson-it.
Franca: Jo negociata të reja për Brexitin
Edhe Franca refuzon të rinegociojë për marrëveshjen e daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga BE. Me këtë Franca e kundërshton kryeministrin e ri britanik Boris Johnson. Johnsoni bën thirrje për heqjen e klauzolës së Irlandës së Veriut, e cila synon të shmangë një kufi të ngurtë midis provincës britanike të Irlandës së Veriut dhe anëtares së BE, Irlandës.
Franca dëshiron të bashkëpunojë me Johnson-in, tha Sekretarja e Shtetit e Evropës, Amelie de Montchalin. Por ajo i përjashtoi negociatat e reja për Brexitin. Kjo është mënyra më e mirë për t'i mundësuar Britanisë së Madhe një dalje të rregullt nga Bashkimi Evropian. Për të folur për Brexitin "në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian", Presidenti francez Emmanuel Macron e ka ftuar kryeministrin britanik të vizitojë Francën "brenda javëve të ardhshme".
aud (rtr/afp/France 2)