BE-ja e përçarë në lidhje me e problemin e refugjatëve
25 Shkurt 2011BE-ja është tepër e përçarë në lidhje me e problemin e refugjatëve që vijnë drejt Evropës duke shfrytëzuar Detin Mesdhe. Sipas fjalëve të MPB të Italisë, Roberto Maroni, Italia ka frikë se prej shkatërrimit të rendit shtetëror në Libi drejt saj mund të ketë "një invazion prej rreth 1,5 milionë" refugjatësh dhe kërkon që BE të përgatisë një plan veprimi të përbashkët. Maroni tha se "Italia gjendet përpara një gjendjeje humanitare urgjente dhe për këtë kërkoj prej Evropës që të marrë të gjitha masat e domosdoshme për të përballuar një krizë humanitare katastrofale."
Ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maizière (CDU) i hodhi poshtë kërkesa të tilla. Kurse MPB i Spanjës Alfredo Pérez Rubalcaba e mbështeti ministrin italian Maroni. Sipas ministrit Rubalcaba problemi i refugjatëve nuk prek vetëm Italinë, por të gjithë Evropën, e cila "do të konfrontohet me një numër jo të vogël refugjatësh dhe për këtë nuk duhet që të mbyllë sytë dhe të presë se çfarë do të ndodhë".
Ministrat e BE-së me pikëpamje kontroverse
Italia, Spanja, Qiproja dhe Malta kanë frikë se për shkak të acarimit të gjendes në Libi nga ky vend do të vijnë drejt Evropës një masë e madhe refugjatësh.
Ministri i Brendshëm gjerman de Maizière si dhe ata të disa vendeve nordike nuk janë të këtij mendimi. Ministri de Maizière tha se në ishullin Lampeduza ka rreth 6.000 refugjatë të ardhur kryesisht nga Tunizia "gjë që përbën ngarkesë, por jo mbingarkesë për Italinë". Ai theksoi se vitin e kaluar Gjermania kishte strehuar rreth 40.000 azilkërkues, Suedia 30.000, Belgjika 20.000, kurse Italia vetëm 7.000. Qëndrimin e de Maizière e mbështeti edhe kolegia e tij austriake Maria Fekter, e cila tha se "Italia mund t'ia dalë një numri prej 6000 refugjatësh.
Qëndrimi i ministrit de Meziere dhe i qeverisë gjermane në këtë pikë u kritikua ashpër prej opozitës. Kryetarja e partisë Ekologjike Claudia Roth tha se refuzimi i ministrit de Maizière për t'u solidarizuar me refugjatët dhe me vendet jugore të BE-së është i papranueshëm. Roth e kritikoi në përgjithësi politikën e BE-së ndaj refugjatëve si "cinike, të verbër dhe kontraproduktive".
Koordinatorja e OKB-së për ndihmat emergjente, Valerie Amos, kërkoi prej BE-së që të tregohet bujare ndaj refugjatëve nga Afrika e Veriut. Sipas saj në portin e sigurt të Evropës janë strehuar prej shekujsh emigrantë dhe kjo nuk duhet të ndryshojë.
Autor: Pandeli Pani
Redaktoi: Lindita Arapi