1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bisedimet për Iranin vazhdojnë në Vjenë

2 Prill 2021

Në Vjenë u vendos që të vazhdojnë të martën bisedime për programin bërthamor të Iranit. Pala iraniane tha se negociata nuk janë të nevojshme, po të heqin sanksionet SHBA.

https://p.dw.com/p/3rWtq
Fahnen von USA und Iran
Fotografi: Ohde/ Bildagentur-online/picture-alliance

Bisedimet për programin bërthamor iranian do të vazhdojnë të martën në Vjenë. Këtë e njoftoi Bashkimi Evropian. Negociatat me Iranin do t'i vazhdojnë përfaqësuesit e Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe, Kinës dhe Rusisë.

Do të ketë gjithashtu bisedime të ndara me Shtetet e Bashkuara. BE kishte ftuar në një konferencë virtuale për sot. Bëhej fjalë për kthimin e mundshëm të SHBA në marrëveshjen bërthamore të Vjenës të vitit 2015, e cila synonte të parandalonte ndërtimin e një bombe atomike iraniane.

"Pjesëmarrësit ranë dakord të rifillojnë këtë sesion të Komisinit të përbashkët në Vjenë javën e ardhshme, në mënyrë që të përcaktohet qartë heqja e sanksioneve dhe masat që duhen zbatuar për armatimin bërthamor, edhe përmes mbledhjeve të grupeve përkatëse të ekspertëve, thuhet në deklaratën e BE.

SHBA e braktisën marrëveshjen nën Trumpin

"Në këtë kontekst, koordinatori gjithashtu dëshiron të intensifikojë kontakte të ndara në Vjenë me të gjithë pjesëmarrësit e JCPOA dhe Shtetet e Bashkuara." Zyrtari i lartë i BE konfirmoi se një delegacion amerikan do të jetë gjithashtu i pranishëm në Vjenë të martën për bisedimet bërthamore dhe i gatshëm për negociata indirekte.

Shtetet e Bashkuara e braktisën në mënyrë të njëanshme marrëveshjen nën Presidentin Trump dhe vendosën sanksione të reja ekonomike ndaj Iranit. Që atëherë, Irani i ka shkelur kushtet e marrëveshjes, duke përfshirë edhe rritjen e pasurimit të uraniumit. Pasardhësi i Trumpit, Biden, ka premtuar se do të rikthehet në marrëveshje.

Përfaqësues iranianë u thanë agjencive të lajmeve se negociata nuk janë të nevojshme, po të heqin sanksionet SHBA. Me heqjen e sanksioneve, Irani u rikthehet në mënyrë të verifikueshme, kufizimeve bërthamore.

aud (dpa, dlf, rtr)