Bogdanoviç: „Kisha duhet të integrohet në sistem"
16 Shkurt 2020Deutsche Welle: Zoti Minister, në Mal të Zi prej disa javësh protestohet kundër ligjit të ri të lirisë fetare. Që prej miratimit të tij me 27 dhjetor të vitit që shkoi, dhjetëramijëra priftërinj, besimtarë dhe përkrahës së Kishës Ortodokse Serbe dalin në rrugë për të kërkuar tërheqjen e ligjit. A nuk ju bën nervoz kjo ju, qeverinë në Podgoricë?
Aleksandar Bogdanoviç: Në fillim më duhet të them se protestat e vazhdueshme e konfirmojnë faktin, që Mali i Zi është i aftë për të vepruar në mënyrë demokratike. Organizatat fetare, disa parti politike dhe një pjesë e popullatës ushtrojnë të drejtën e vet për ta shprehur lirshëm mosaprovimin. Përderisa këto protesta të jenë paqësore, është plotësisht e drejta e tyre, që nuk mund të shtypet në një farë mënyre nga askush, dhe aq më pak nga qeveria.
Nga ana tjetër është vendimi për të bërë atë, që kanë bërë thuajse të gjitha shtetet evropiane, që ta përfshijnë kishën në sistem dhe t‘i zgjidhin të gjitha çështjet sipas parimit të lirisë fetare. Qëndrimi i qeverisë së Malit të Zi këtu është i qartë: ligji i lirisë fetare, i cili si çdo ligj tjetër është miratuar në parlament dhe ka hyrë në fuqi, do të zbatohet. Ne garantojmë, që asnjë palë, për të cilën aplikohet ligji i ri, nuk do të ketë disavantazhe në ndonjë farë mënyre. Ligji nuk drejtohet as kundër Kishës Ortodokse Serbe dhe as kundër ndonjë komuniteti tjetër fetar.
Në fund të fundit pyetja kryesore është: përse një organizatë kishtare, që është e regjistruar në Serbi, nuk dëshiron të regjistrohet në Mal të Zi?
Ne kemi dashur ta zëvendësojmë ligjin e vitit 1977 me një ligj të ri, modern, që u përgjigjet standarteve evropiane. Komisioni i Venecias na ka mbështetur në këtë dhe ne dëshirojmë që nga ky ligj i ri të përfitojnë të gjithë qytetarët e vendit.
Por a mendoni ju se arrestimi i gazetarëve gjatë aksioneve të protestave kontribuon në qetësimin e situatës së tensionuar?
Ne duam të garantojmë, që ligjet e vendit tonë të respektohen. Nëse kryhen vepra penale, shteti duhet të ndërhyjë. Dhe dua të theksoj se me ligjin e ri të dy komunitetet fetare (Kisha Ortodoke Malazeze dhe Kisha Ortodokse Serbe shënim i redaktorit) dhe besimtarët e tyre do të mund të shfrytëzojnë kishat e tyre, siç kanë bërë deri tani. Këtu nuk ka asnjë konflikt. Ne jemi shtet laik dhe respektojmë të drejtën e të gjithë qytetarëve për lirinë e fesë. Kjo liri dhe e drejta për të pasur pronë janë dy tema të ndryshme. Ne duhet të rregullojmë raportet e pronësisë dhe të shqyrtojmë, nëse ka raste të përvetësimit të paligjshëm të pasurisë.
Sidoqoftë, qeveria malazeze është zotuar të mbrojë gazetarët dhe burimet e tyre dhe të mbrojë lirinë e mediave dhe lirinë e shprehjes jo vetëm në ligjin e ri të mediave. Si përshtatet kjo me arrestimet e fundit?
Përmes ligjit të ri për mediat dhe legjislacionit të ri, që është miratuar nga qeveria dhe së shpejti do të shtrohet për diskutim në parlament, duam të përpiqemi të vendosim një mekanizëm të ri. Publikimet e papërgjegjshme në një pjesë të mediave në këtë situatë të tensionuar që jemi, të bazuara në fakenews dhe në manipulime, rrezikojnë paqen sociale. Kundër këtyre gjërave na është dashur të ndërmarrim hapat e nevojshëm.
Nëse ka prova, që një media përpiqet të krijojë panik dhe trazira dhe përhap për shembull njoftime të rreme të një diplomati të huaj, atëherë kjo gjithçka mund të jetë, por jo trajtim i përgjegjshëm i një teme. Shteti duhet të veprojë kundër këtyre veprave penale në bazë të së drejtës penale.
Dallimet mes malazezëve dhe serbëve kanë çuar gjithmonë në kundërshti. Një temë këtu është gjuha e përbashkët. A mund të forcohet identiteti kulturor dhe politik duke i dhënë të njëjtës gjuhë një emër tjetër?
Gjuha malazeze është gjuha zyrtare në Mal të Zi. Serbishtja, boshnjakishtja, kroatishtja dhe shqipja fliten po ashtu zyrtarisht. Një pjesë e konsiderueshme e popullsisë flet gjuhën malazeze dhe unë besoj se nuk ka kontroverse në këtë çështje. Siç e dini shpërbërja e Jugosllavisë ka sjellë ndryshime të mëdha gjuhësore në rajone. Gjuha e njohur deri më parë si serbo-kroate u riemërtua për herë të parë në Serbi dhe quhet zyrtarisht serbisht. Pastaj gjuha në Kroaci u shpall zyrtarisht si kroatisht. Atëherë në Bosnjë-Hercegovinë e njëjta gjuhë u emërtua zyrtarisht si boshnjakisht. Unë mendoj se Mali i Zi ka të njëjtën të drejtë objektive, ta quajë gjuhën e tij malazeze – si gjuhë zyrtare krahas katër të tjerave, që i përmenda në fillim. Është e drejta e një vendi sovran dhe e popullsisë së tij, që të përcaktojë vetë emërtimin e gjuhës së vendit, ashtu siç e kanë bërë edhe shtete të tjera në rajon.
Së fundmi zoti minister, ju keni folur në një intervistë për ardhjen e vazhdueshme të njerëzve nga Serbia në Mal të Zi, duke thënë se numri i tyre në 20 vitet e fundit është trefishuar. Cilat janë efektet e këtij migracioni?
Shumë njerëz nga rajoni, jo vetëm nga Serbia, vijnë në Mal të Zi për arsye të ndryshme. Shumica në kërkim të punësimit në turizëm apo ndërtimtari. Dhe rezulton se ata nuk janë të pakënaqur me jetën e tyre këtu. Qytetarët serbë, qytetarët e të gjitha vendeve të tjera, kanë qenë gjithmonë të mirëseardhur në Mal të Zi. Kjo nuk do të ndryshojë as në të ardhmen. Duke iu referuar pyetjes tuaj: këtu nuk bëhet fjalë për imigrim. Janë kryesisht qytetarë të Malit të Zi, që deklaroheshin serbë në regjistrime. Sot përsa i përket shifrave ka me të vërtetë shumë më tepër njerëz sesa në vitet 1990-të apo më herët. Por kërcënimi gjoja i popullatës serbe është thjesht një propagandë e përhapur nga grupe të caktuara politike dhe media. Serbëve në Mal të Zi, si dhe gjithë njerëzve të tjerë në vendin tonë, pavarësisht se ç’prejardhje kanë, nuk do t'u thotë askush, se këtu nuk ka vend për ta. Siç mësuan për fat të keq malazezët në ditët dhe javët e fundit në rajonin fqinj.
Si i vlerësoni në këtë kontekst politik dhe kulturor qëndrimet e pakicës shqiptare dhe përfaqësimin e tyre politik?
Anëtarët e pakicës shqiptare, si të gjitha kombet e tjera, kanë të drejta të barabarta dhe janë të barazvlershëm në shoqërinë malazeze. Ne i besojmë plotësisht dhe tërësisht konceptit të shoqërisë civile. Përfaqësuesit politikë të pakicës shqiptare janë përfshirë tradicionalisht në qeverinë e Malit të Zi. Dhe ne jemi shumë krenarë për këtë. Kjo është dëshmi që pakica shqiptare njeh dhe pranon të gjitha vlerat e Malit të Zi të sotëm dhe jep një kontribut të rëndësishëm për këtë. Mali i Zi është një vend multikulturor, multietnik dhe multifetar. Ne i kushtojmë rëndësinë më të madhe këtyre vlerave. Përveç kësaj më duhet të them, se midis Malit të Zi dhe Shqipërisë ka marrëdhënie të shkëlqyera fqinjësore.
Në Mal të Zi deri më së voni në tetor 2020 do të mbahen zgjedhjet parlamentare. A mund të zhvillohen këtë verë zgjedhjet e parakohshme për shkak të situatës së tensionuar aktuale?
Ne nuk shohim ndonjë arsye për t’i afruar zgjedhjet parlamentare. Ne po përgatitemi për zgjedhjet e rregullta parlamentare, që do të mbahen në tetor. Qeveria ka arritur rezultate të shkëlqyera. Ne duam që të gjithë qytetarët e Malit të Zi të marrin pjesë dhe të vazhdojnë të ndjekin synimet tona strategjike. Një synim strategjik, që ne e ndjekim me angazhim të madh, është hyrja në BE.