UNO Gaddafi Ahmadineschad
24 Shtator 2009Me deklaratat e tij antisemitiste Ahmadinexhadi sulmoi edhe një herë ashpër Izraelin dhe kontestoi ekzistencën e këtij shteti. Ndërsa Gadafi mbajti një fjalim të stërzgjatur gjatë të cilit grisi edhe Kartën e OKB-së. Shumë prej delegacioneve, ndër të cilët edhe ai gjerman, u larguan nga salla gjatë fjalimit të Presidentit të Iranit. Po bojkoti nuk është gjithmonë rruga më e mirë për zgjidhjen e problemeve.
Edhe kësaj radhe u dëgjuan thirrje të njëjta
Si është e mundur që vrasësit dhe terroristët të flasin para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së? Thirrja i ngjan një kërkese për bojkot. Kjo ditë tregoi se të mos bojkotosh është ndonjë herë rrugë më e mirë. Jo vetëm gjatë prezantimit të verbër të Mahmud Ahmadinexhadit, por edhe gjatë fjalimit të stërgjatur të Gadafit, prej më shumë se një orë e gjysmë, gjatë së cilit ai grisi edhe Kartën e OKB-së. Ai e diskreditoi dhe e bëri qesharak vetveten. Është kjo një prej dëshmive se pse edhe të tillët duhet të flasin para OKB-së. Vetëm në këtë mënyrë delegacioneve u jepet mundësia të ngrihen dhe të largohen dhe t'i lënë diktatorit një sallë të zbrazur. Po të mos ftohej fare për pjesëmarrje, aksionet e tilla nuk do të kishin kuptim. Organizata botërore duhet të jetë aq e fuqishme, sa të përballen edhe me fjalime të tilla.
Ban Ki Moon kërkon harmoni mes të gjithëve
Libia, Koreja e Veriut, Irani, të gjitha këto vende janë anëtare të OKB-së. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon kërkon harmoni mes të gjithëve. Si një kujdestar klase, i cili u lejon edhe fëmijëve problematikë që të bashkëveprojnë, por pa i zbukuruar apo anashkaluar gabimet e tyre. Të tillët duhet të kenë të drejtën e prezantimit, ndryshe do të dekorohen me rolin e viktimës. "Mirësevini në paradën e kopukëve", ishte titulli kryesor i një gazete bulevardeske të Nju Jorkut, e cila në ballinë botoi fotografitë e Gadafit, Ahmadinexhadit dhe Hugo Çavezit, si mysafir nderi të OKB-së.
Por sikur njeriu të thoshte pushtetmbajtësit maskarenj nuk duhet të flasin fare, shtrohet pyetja se kush është ai që e përcakton se çfarë është maskarallëku dhe ku janë kufijtë e tij? Për mjaft islamikë, SHBA-ja personifikon të gjitha të këqijat. Të tjerët nuk do ta thërrisnin një numër të madh të afrikanëve. Po si është puna me Kinën apo Rusinë?
OKB mund të përballet edhe me fjalimet e diktatorëve
Organizata botërore e cila angazhohet për të drejtat e njeriut dhe sigurinë në botë, nuk ka nevojë për këto debate rreth bojkotit. Ajo mund të përballet edhe me fjalimet e tilla të diktatorëve. Megjithë kritikat e shumta, ajo ka mundësinë e denimeve me rezoluta dhe sanksione. Siç tha edhe Gordon Brown: "Jam këtu për të ngritur lartë Kartën e OKB-së dhe jo për ta shqyer".
Demokracia është shumë më e fuqishme në qoftë se vjen nga brenda dhe jo me kufizime. Kjo është dëshmuar në rastin e Iranit. Në kohën e globalizimit dhe komunikimit të shpejtë, demokracia kërkon shkëmbimin e informacioneve. Shumë më i rëndësishëm është edukimi i njerëzve, dituria dhe shkollimi. Mos kërkoni bojkot, por arsimim!
Autor : Lena Bodewein
Redaktoi : Aida Cama