1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bosnja - vendi i islamit evropian

20 Maj 2016

Një vizitori nga vendet arabe mund t'i duken mjaft të çuditshëm muslimanët e Bosnje-Hercegovinës, sepse feja islame aty ka ruajtur ndjeshëm gjurmët e saj evropiane.

https://p.dw.com/p/1Iqt2
Fotografi: DW/V. Soldo

"I dashur Zot, ndihmoje dhe mbështete perandorin tonë fisnik Franz Joseph I dhe forcoje ushtrinë e tij. Zoti i dashur, kujdesu për kënaqësinë dhe mbrojtjen e tij dhe mirëqënien e mbretërisë së tij." Ky është një ekstrakt nga lutja e myftiut të madh të Bosnjës Xhemaludin Çausheviç. Shkaku i kësaj faljeje para më shumë se njëqind vjetësh ishte lindja e perandorit austro-hungarez dhe mbretit Franz Josef. Që nga viti 1882 Austro-Hungaria ia kishte hequr nga dora sulltanit osman organizimin e jetës fetare të myslimanëve të Bosnjës. Emërimin e myftiut të madh (reis-ul-ulema) dhe të Këshillit të Dijetarëve (ulema mexhlis) e kishte që atëherë direkt në dorë perandori. Në këtë mënyrë u krijua një organizatë dhe hierarki unike e besimit islam në botë.

Bashkësia Islame në Bosnjë dhe Hercegovinë (Islamska Zajednica u Bosni i Hercegovini) dhe institucionet e saj veprojnë sot mbi parimin e shekullarizmit dhe janë autonome. "Autonomia e Bashkësisë Islame ka shumë përparësi për trajtimin e pavarur të çështjeve fetare, por edhe shumë përgjegjësi", thotë Amir Duranović. Historiani boshnjak dhe ekspert në çështjet e Bashkësisë Islame thekson se në dallim me Bosnjë dhe Hercegovinën në shumicën e vendeve muslimane çështjet e fesë regullohen nga institucionet shtetërore.

Karakteri shekullar dhe i moderuar i myslimanëve të Bosnjës u thellua edhe më tej në ish-Jugosllavi, ku edhe pse feja qe një element i rëndësishëm i identitetit kulturur, ajo nuk luante ndonjë rol të madh në jetën politike dhe shoqërore. Po ashtu edhe me fqinjet katolikë kroatë dhe ortodoksë serbë myslimanët bonjakë i lidhte gjuha e përbashkët dhe kultura.

Bosnien Kriegsverbrechen in Bijeljina Friedhof
Fotografi: DW/E. Musli

Lufta si cezurë

Por me fillimin e luftës në vitin 1992 në Bosnjë ndryshoi çdo gjë për muslimanët. Për tre vjet me radhë deri në vitin 1995 ata u bënë objektivi kryesor i një spastrimi sistematik dhe dëbimi etnik, vrasjesh masive dhe të të vetmit gjenocidit në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Sipas Qendrës së Sarajevës për viktimat e luftës në Bosnjë, rreth 805 e viktimave civile në luftë ishin myslimanë. Lufta e shtoi për myslimanët në Bosnje-Hercegovinë në mënyrë të konsiderueshme rolin e besimit në krijimin e kombit të tyre. Ashtu si serbët ortodoksë dhe katolikët kroatë më shumë se 90% e muslimanëve boshnjakë në Bosnjë e Hercegovinë thonë se besojnë në fenë e tyre, e megjithatë, feja islame në Bosnje dhe Hercegovinë ka ruajtur ndjeshëm gjurmët e saj evropiane.

Radikalizim në sipërfaqe

Një vizitori nga vendet arabe mund t'i duken mjaft të çuditshëm muslimanët e Bosnje-Hercegovinës: shumë pak gra muslimane mbulohen me shami. Madje as në xhami burrat dhe gratë nuk janë të ndarë në mënyrë rigoroze. Gratë dhe burrat i japin dorën njëri-tjetrit kur takohen e kështu me radhë.

Në të njëjtën kohë po shtohen në media njoftimet se Bosnjë-Hercegovina shërben si bazë e IS-it. Në fakt që nga vitet 1990 dhe pjesëmarrjes së të ashtuquajturve muxhahedinë në luftën e Bosnjës, po rritet edhe ndikimi nga bota arabe dhe Turqisë. Arabia Saudite dhe shtetet e Gjirit Persik kanë ndërtuar e xhami të shumta dhe institucione arsimore. Studentë dhe turistë nga Turqia dhe vendet arabe vijnë me shumicë në Bosnje dhe Herzegovinë. Qendrat e mëdha tregtare të ngritura prej investimsh të mëdha arabe janë kthyer në pikat e reja të referimit të qyteteve boshnjake.

Bosnien Banja Luka Ferhadija-Moschee
Fotografi: DW/D. Maksimovic

Bosnja dhe Hercegovina është një nga vendet evropiane me numrin më të madh të luftëtarëve të IS-it për frymë popullsie. Shumica e këtyre xhihadistëve të vetëshpallur vijnë nga disa fshatra të largët salafistë që tani janë nën vëzhgim rigoroz. Në 20 vitet e fundit islami tradicional boshnjak filloi të provojë konkurrencën e strukturave paralele salafiste. Me këtë konkurrencë bashkësia fetare islame po merret në mënyrë aktive vetëm kohët e fundit - shumë thonë se kjo po ndodh shumë vonë.

Shfrytëzimi i përvojave

Është e qartë se shumica dërrmuese e muslimanëve të Bosnjës-Hercegovinës e refuzojë ideologjinë salafiste. Pavarësisht religjiozitetit në rritje dhe traumave të luftës ata këmbëngulin edhe më tej për një mënyrë jetese evropiane. Kjo reflektohet edhe në nivelin e lartë të integrimit, si në Gjermani apo Austri - që krahas Suedisë dhe Shteteve të Bashkuara vazhdojnë të jenë vendet klasike të emigracionit të boshnjakëve. Nëse në perspektivë afatgjatë ndikimin arab në Bosnjë dhe Hercegovinë do të rritet më tej, kjo varet edhe nga evropianët. Për sa kohë që investitorët evropianë do t'i kthejnë shpinën Bosnje-Hervegovinës, asaj do t'i duhet t'i kërkojë donatorët në botën arabe, Turqi dhe Rusi.

Fakti që në një nga vendet më të varfra të Evropës ndikimi politik apo fetar shkojnë dorë për dore me paratë është i qartë. Muslimanët e Bosnje-Hercegovinës e kanë ruajtur për shekuj autonominë e tyre kulturore. Ata kanë zhvilluar në këtë kohë ndjenjën e nevojshme për bashkëjetesën me fetë e tjera. Ka ardhur koha që BE-ja ta kuptojë këtë - dhe t'i përdorë boshnjakët dhe përvojat e tyre si gurë të rëndësishëm themeli në dialogun evropiano-islamik.