Braktisja e braktisjes - edhe në Itali kemi një kthim te energjia bërthamore
13 Mars 2009Britania e Madhe, Franca, Suedia dhe Italia do të ndërtojnë centrale bërthamore të reja
Ndërsa në Gjermani koalicioni qeveritar po diskuton për heqjen dorë nga heqja dorë e energjisë atomike, Britania e Madhe, dhe Franca duan që të bashkëpunojnë për ndërtimin e centraleve bërthamore të reja, e edhe Suedia dëshiron që pas mbi 30 vjetësh të ngrejë reaktorë të rinj atomikë. I vetmi vend që vazhdon të ndjekë politikën e heqjes dorë prej energjisë atomike është Belgjika. Edhe në Itali pritet që pas një pushimi prej dy dekadash të ndërtohen reaktorë të rinj. Pas katastrofës së Çernobilit, në një referendum të zhvilluar në Itali në lidhje me energjinë atomike rreth 70 % u shprehën kundër saj. Për këtë, në periudhën 1987 - 1990 të gjithë centralët atomikë të Italisë u nxorën nga puna.
Tani ministri për zhvillimin ekonomik, Claudio Scajola, deklaroi se brenda kësaj periudhe legjislative do të fillohet me ndërtimin e një reaktori të modeleve të reja. Sergio Garriba, këshilltar i Scajolës për çështjet e energjisë thotë se:
"Qeveria italiane beson se energjia atomike është një mundësi për Evropën. Kjo për tri shkaqe: centralët atomikë mundësojnë prodhimin ekologjik të energjisë, pra pa emisione gazrash, së dyti, janë të sigurt, dhe së treti në sasi të mëdha dhe me çmime konkurruese, duke u bërë kështu të pavarur prej importeve."
Kthim në kohën e atomit në Itali, po energjia atomike nuk e pavarëson atë prej importeve
Aktualisht 85 % e nevojave të Italisë për energji mbulohen prej importeve.
"Qeveria do që Italia t'i rikthehet kohës së atomit, prej së cilës u ndamë në vitin 1987. Por këto plane bazohen në premisa që janë absolutisht të gabuara,"
- kundërshton Stefano Ciafani, drejtues i komisionit shkencor të organizatës për mbrojtjen e ambientit Lega Ambiente.Sipas tij energjia atomike nuk të pavarëson prej importeve, sepse Italia nuk ka uranium dhe i duhet ta importojë atë. Po ashtu edhe rezervat e uraniumit në botë, të cilat mund të nxirren me shpenzime disi të pranueshme do të jenë mbaruar pas 60 apo 80 vjetësh. Po të llogaritet se edhe vende të tilla si Kina, India apo SHBA-ja do të shtojnë numrin e centraleve atomike, atëhere ato do të mjaftonin për 20 e shumta 30 vjet. Por fjala nuk është vetëm për shpenzimet, sepse nxjerrja e uraniumit kërkon dhe harxhon shumë energji.
Problem - depozitimi i mbeturinave nga centralet bërthamore
Eurodeputetja italiane e Partisë së Gjelbër Monica Frassoni, thotë se energjia atomike është harxhim dhe jo teknologji për të ardhmen:
"Italia ka hequr dorë që prej 1987 nga teknologjia atomike, por nuk ka investuar në energji alternative dhe nuk ka kursyer për to si Gjermania apo Spanja. Italia është një nga vendet më me shumë borxhe në botë, ndërkohë që vetëm një central atomik kushton katër-pesë miliardë euro."
Rezistencë e ashpër e qytetarëve
Problem përbën edhe depozitimi i mbeturinave nga centralet bërthamore. Qeveria thotë se për këtë duhet të kujdesen sipërmarrjet, të cilat duhet të investojnë në këtë sektor, duke shfrytëzuar edhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Po pikërisht këto aktivitete ndërkombëtare të koncerneve energjetike italiane kanë ndeshur në rezistencë të ashpër të qytetarëve. Në nëntor 2007 përpara ambasadave italiane në të gjithë Evropën u zhvilluan protesta të aktivistëve ambientalistë për të kundërshtuar politikën e koncernit energjetik Enel, 30% e të cilit i takojnë shtetit. Ky koncern synon të bashkëpunojë me prodhues energjie në Rusi, Bullgari apo Sllovaki, të cilët përdorin teknologji nukleare të vjetëruara. Fushata e ambientalistëve italianë, e cila ka mobilizuar mijëra vetë quhet: "Stacca la spina!" - "Hiqe spinën!"