Brandenburgu thyen "kartelin e heshtjes"
30 Janar 2010I veshur me kostumin e burgut pati hyrë në parlamentin e landit disa muaj më parë Dieter Dombrowksi, kur socialdemokrati Matthias Platzek do të bënte betimin si kryeministër. Sekretari i përgjithëm i CDU-së së Brandenburgut protestonte kështu ndaj koalicionit të Platzekut me Të Majtën, pasardhësen e partisë shtetërore të RDGJ-së. Qysh atëherë dihej se gjashtë nga gjithsej 27 deputetët e saj kishin qenë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit, shkurt: Stasi. Nën presionin e medies u zbuluan edhe tre të tjerë, dy prej të cilëve dhanë dorëheqjen.
Pajtim përmes sqarimit
Një skandal, që e detyroi kryeministrin socialdemokrat Platzek që të vendoste në tryezë një projektligj të opozitës për kontrollin e biografive të deputetëve: "Ky koalicon i drejtuar nga unë, duhet të sjellë pajtimin në vend. Brandenburgasit duhet të sqarohen me njëri-tjetrin në mënyrë që t'i përqendrojnë forcat në të ardhmen. Parakusht për këtë është pranimi i gabimeve të së kaluarës, sqarimi i tyre dhe deklarimi i pendimit", do të argumente kryeministri në një seancë të posaçme në fund të dhjetorit të vitit të kaluar.
Ligji tashmë u miratua dhe ai parashikon që të gjithë deputetët e landit që në vitin 1990 ishin mbi moshën 18-vjeçare do t'i nënshtrohen kontrollit të një komisioni katër anëtarësh, që është zgjedhur me konsensus mbarëpartiak nga parlamenti: "Komisioni nuk do të këshillojë, por do të shikojë dhe do të analizojë dokumentet. Ai do të shkruajë një raport, në lidhje me të cilin do të pozicionohen deputetët e prekur", sqaron kryetari i grupit parlamentar të të Gjelbërve, që ishin iniciatorët e këtij ligji, Axel Vogel.
Brandenburgu theu kështu me këtë ligj "kartelin e heshtjes", siç do ta quante atë e ngarkuara e qeverisë federale për dokumentet e Stasit, Marianne Birthler. 20 vjet më parë landi i porsakrijuar kishte bërë njëherë një kontroll të biografive, por, siç informojnë tashmë një sërë mediesh, dosjet e atëhershme u manipuluan. Kjo nuk është aspak për të çuditur, kur kryeministri i atëhershëm Manfred Stolpe (SPD), sipas medieve, kishte bashkëpunuar vetë me Stasin. Prandaj edhe lindi nevoja, që puna e komisionit të tanishëm të rregullohej me ligj.
Ish-spiunët mbeten në parlament
Por se cilat janë konsekuencat për ish-spiunët, ligji këtë nuk e përcakton. Kryetarja e fraksionit të CDU-së në parlamentin e landit, Johanna Wanka, paralajmëron që parlamenti të mos shndërrohet në një "grup terapie që u vjen në ndihmë fajtorëve t'u kthehet kujtesa e të mbajnë qendrim ndaj së kaluarës së tyre."
Drejtori i qendrës përkujtimore të viktimave të sigurimit të shtetit në Berlin, Hubertus Knabe, i cili e ndjek debatin nga larg, e kritikon ligjin: "Ai është i pamjaftueshëm, sepse ai nuk do t'i pengojë ish-bashkëpunëtorët e Stasit të ulen në parlament," - thotë Knabe.
Por shumë ekspertë të tjerë mendojnë se nuk mund t'i hiqet mandati një deputeti të zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë e ku zgjedhësit kanë qenë në dijeni të plotë për veprimtarinë e tyre si spiunë, siç është për shembull rasti i kryetares së grupit të të majtëve, Kerstin Kaiser.
Prandaj edhe në Gjermani lustracioni u lihet në dorë zakonisht vetë institucioneve. Kjo ka bërë që në shumë lande të ish-Gjermanisë lindore, ku kontrolli i biografisë bëhet mbi bazë vullnetare, biografitë e shumë deputetëve të partisë E Majta të mbeten në errësirë. Knabe e kritikon këtë procedurë dhe sjell si shembull pozitiv Bullgarinë, ku jo vetëm deputetët, por edhe persona të tjerë publikë, si për shembull kryeredaktorët, u nënshtrohen kontrollit. Ai kërkon transparencë dhe rregulla të njëjta, jo vetëm për gjithë Gjermaninë, por për gjithë Evropën. "Bashkimi Evropian ka direktiva që përcaktojnë se sa i madh duhet të jetë harku i bananes, por asnjë që rregullon se si duhet trajtuar e kaluara komuniste," - ankohet ai.
Autor: Anila Shuka
Redaktor: Pandeli Pani