Bundestag: Orë përkujtimore për Luftën e Parë Botërore
3 Korrik 2014Ishte një atmosferë solemne dhe e përmbajtur nën kupolën e Reichstagut, kur deputetët u mblodhën në prani të Presidentit Joachim Gauck dhe të Presidentit të Gjykatës Kushtetuese, Andreas Voßkuhle për ceremoninë e shkurtër përkujtimore. Në tribunë patën zënë vend shumë miq të ftuar, midis tyre ish-Presidenti i Gjermanisë, Richard von Weizsäcker dhe ish-Presidenti francez, Valery Giscard d'Estaing, si dhe 100 ambasadorë e diplomatë të huaj.
"Ne jemi nipat dhe stërnipat e atyre, që 100 vjet më parë u futën në këtë luftë, të cilët ranë në këtë luftë për Perandorin dhe atdheun, të cilët u kthyen të plagosur dhe të gjymtuar nga lufta", tha Presidenti i Bundestagut, Norbert Lammert në çelje të orës përkujtimore. Lufta e Parë Botërore ishte një "kuti e Pandorës" për shekullin e dhunshëm të 20-të, lufta e fundit konvencionale dhe njëkohësisht lufta e parë moderne, "që nga helmeta me majë tek mitralozët deri te gazi helmues". Lufta e viteve 1914-1918 kushtoi miliona viktima. Ajo nisi një kthesë epokale dhe i dha fund dominancës së shteteve evropiane në politikën botërore.
Kujtime të ndryshme
Gjermanët flasin për kujtimin e Luftës së Parë Botërore, francezët dhe britanikët flasin për "luftën e madhe", mbi të vjen katastrofa e Luftës së Dytë Botërore. Prej të dyjave Republika Federale mësoi shumë më vonë se "masat ushtarake në parim nuk janë mjet i përshtatshëm i ndryshimeve të dëshiruara politikisht dhe nëse do të përdoren duhet të jenë mjeti i fundit i shuarjes së një konflikti." Kjo doktrinë bëhet e qartë përmes lidhjes së Bundeswehrit në shtetin demokratik. Gjermania është shteti i parë në botë që e ka përfshirë në kushtetutë të drejtën e refuzimit për të kryer shërbim ushtarak në luftë dhe ndryshe nga shumica e vendeve të botës, është parlamenti ai që e ka fjalën e fundit në angazhimet ushtarake, u shpreh Presidenti i Bundestagut, Norbert Lammert.
Edhe Alfred Grosser tërhoqi vëmendjen në dallimet midis dy luftërave botërore dhe ndikimin e tyre në identitetin e gjermanëve. Lufta e viteve 1914-1918 çoi në një demokraci të brishtë, por e cila u dobësua nga Marrëveshja e Versajës në atë masë, sa nuk i rezistoi sulmit të nacionalsocialistëve. Lufta e Dytë Botërore nga ana tjetër përfundoi me disfatën totale të Gjermanisë dhe krijoi një Gjermani krejt tjetër.
Gjermania si shkaktare e luftës?
Politologu francez theksoi në fjalimin e tij se Gjermania për një kohë të gjatë i ishte dorëzuar një lloji masohizmi dhe e pati marrë mbi vete fajin për Luftën e Parë Botërore. Ky vështrim mbi ngjarjet nuk mbështetet më nga kërkimet e fundit. Edhe në Francë Gjermaninë nuk e shohin më si shkaktare të vetme të Luftës së Parë Botërore, e cila ka lënë atje deri sot gjurmë të thella në kujtesë. Sot, 82 përqind e francezëve shohin tek Gjermania partnerin më të besueshëm.
Fjala e Alfred Grosserit u prit me duartrokitje të përzemërta nga deputetët. 89 vjeçari me origjinë hebreje, babai i të cilit u shpërngul në vitin 1933 në Francë, vlerësohet lart si ndërmjetës dhe pajtues midis Gjermanisë dhe Francës. Edhe dy herë të tjera ka qenë ai i ftuar për të folur para Bundestagut, të dyja fjalimet ai i mbajti kur Bundestagu ndodhej ende në Bonn.