Bundestagu gjerman debaton për misionin e Bundesvehrit në Kongo
19 Maj 2006Ishte një gjë e paparë kjo në historinë e parlamentit gjerman: qeveria federale ka dërguar për debatin në Bundestag tre ministra. Kjo për faktin se jo vetëm brenda radhëve të opozitës por edhe në vet radhët e partive në pushtet vërehet dyshimi se a duhet me të vërtetë ushtarët gjerman të dërgohen në një mision të tillë siç është misioni në Republikën Demokratike të Kongos. Tek popullata gjermane, sipas anketave të ndryshme, një shumicë e qartë është kundër dërgimit të ushtarëve në këtë rajon. Ministri i jashtëm Frank-Valter Shtajnmajer sidoqoftë provoi me këto fjalë të bind parlamentarët gjerman:
"Për dy muaj në Kongo pas 40 vitesh, më tepër se 40 vjet bile për herë të parë do të mbahen zgjedhjet e lira. Paramendoni për 95 përqind të popullatës kongoliane këto janë zgjedhjet e para në jetën e tyre", tha Shtajnmajer.
Me lutje të Kombeve të bashkuara, Bashkimit Afrikan dhe qeverisë në Kongo trupat e Bashkimit Evropian nën drejtimin e gjermanëve do të duhet të shkojnë në Kongo për sigurimin e këtyre zgjedhjeve. Luftërat dhe luftërat qytetare gjatë viteve të kaluara i kanë kushtuar me jetë më tepër se katër milionë njerëzve në Republikën Demokratike të Kongos. Asnjë konflikt i pasluftës së II-të Botërore nuk ka marrë kaq shumë jetëra njerëzish sa konflikti i Kongos. Shtajnmajer:
"Vetëm një Kongo stabile mund të pengoj që e tërë Afrika Qendrore të përfundoj sërish në shkatërrim dhe luftë, vëtem një Kongo stabile mund të pengoj përsëritjen e katastrofave humanitare", tha Shtajnmajer.
Të gjithë folësit e opozitës në parim janë pajtuar me fjalët e ministrit Shtajnmajer. Por fakti që Bashkimi Evropian vendos për një mision ushtarak edhe pse nuk ekziston ende një politikë e përbashkët e vendeve të BE-së për Afrikën është kriktikuar nga liberalja Birgit Homburger.
"Ne presim nga qeveria federale një strategji të qartë për stabilizimin e kontinentit afrikan i cili nuk fillohet me një operacion ushtarak", tha Homburger.
Ministri gjerman i mbrojtjes Franc Jozef Jung i cili fillimisht ka qenë kundër misionit të Bundesvehrit në Kongo, në fjalën e tij u shpreh se tani janë plotësuar të gjitha kushtet për një gjë të tillë. Ky mision kërkohet nga Kombet e Bashkuara dhe qeveria kongoliane, 18 shtete evropiane marrin pjesë në të dhe ai është i kufizuar vetëm në kryeqytetin Kinshasa me rrethinë si dhe do të zgjas katër muaj. Por deputetja e Partisë Liberale dyshon se misioni mund të përfundoj aq lehtë pas katër muajsh:
"Çfarë do të ndodh në të vërtetë nëse varësisht nga rrethanat do të jetë i nevojshëm raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale apo çfarë nëse pak para kalimit të mandatit përkeqësohet gjendja, të themi për shkak se rezultatet demokratike nuk pranohen nga ndonjëra palë?. A do të përfundoj atëherë misioni i Bashkimit Evropian", pyeti në fjalën e saj deputetja Homburger.
Për dallim nga liberalët, të gjelbërit gjerman mbështeten misionin e BE-së e me të edhe të ushtarëve gjerman në Kongo. Pritet që shumica absolute e deputetëve të ndjek argumentet e qeverisë nëse Bundestagu me 1 qershor miraton misionin e Kongos. Siç mirret vesh ndërkohë numri i skeptikëve në radhët e partive qeveritare javët e fundit është pakësuar shumë. Në debatin e sotëm të Bundestagut asnjë prej tyre nuk e morri fjalën.