Bundeswehri dorëzon bazën mbrojtëse në Kunduz
7 Tetor 2013Kunduz, ky rajon është ngulitur në memorjen e misionit të ushtrisë gjermane (Bundeswehr) si asnjë rajon tjetër në Afganistan. Në Kunduz janë vrarë gjatë sulmeve dhe shkëmbimeve të zjarrit 18 ushtarë gjermanë, më shumë se në çdo vend tjetër qysh pas fundit të Luftës së Dytë Botërore. Ushtarët gjermanë kanë qenë dhjetë vjet të dislokuar në këtë bazë mbrojtëse. Tani Bundeswehri largohet nga kjo bazë e rrezikshme duke i dhënë fund zyrtarisht misionit në veri të Afganistanit. Deri tani në kampin në Kunduz kanë mbetur edhe 900 ushtarë nga 4000 trupa gjermane të dislokuara gjithsej në Afganistan.
Të pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të bazës ishin ministri i Mbrojtjes Thomas de Maiziere dhe ministri Jashtëm Guido Westerwelle. Kjo është hera e parë që të dy ministrat qëndrojnë së bashku në Afganistan.
Kunduzi një pikëkthese për Bundeswehrin
"Kunduzi ka lënë gjurmë si asnjë vend tjetër për Bundeswehrin, sepse këtu është luftuar, është rindërtuar, është vajtuar e ngushëlluar dhe janë vrarë ushtarë", tha de Maiziere të dielën në mëngjes (06.10.2013) duke theksuar rëndësinë simbolike të rajonit për trupat gjermane. "Kjo ka qenë një pikëkthese jo vetëm për Bundeswehrin, por edhe për shoqërinë gjermane. Kundushi do të mbetet gjithmonë pjesë e memorjes sonë të përbashkët.“ Ministri i Mbrojtjes ua dorëzoi përgjegjësitë policëve dhe ushtarëve afganë, të cilët nga fundi i tetorit do ta marrin plotësisht në dorëzim kampin dhe do të jenë përgjegjës për sigurinë në rajonin e trazirave. Deri në fund të tetorit Bundeswehri do ta lirojë tërësisht bazën. "Përgjegjësia, që ne u kalojmë juve, partnerëve tanë afganë, është mjaft e madhe”, tha de Maiziere duke nënvizuar, se Gjermania ka respekt të madh për guximin dhe qëndrueshmërinë e ushtarëve dhe policëve afganë.
Afganët i trëmben trazirave pas tërheqjes së trupave gjermane
Gjendja e sigurisënë rajonin e Kunduzit kohët e fundit është përkeqësuar. Disa politikanë të njohur janë vrarë gjatë javëve të fundit prej talibanëve radikalë-islamikë. Edhe sulmet ndaj njësive të ushtrisë afgane janë shtuar. Shumë afganë kanë frikë nga përkeqësimi i ngjendjes, pas tërheqjes së Bundeswehrit nga Kunduzi.
Ministri i Jashtëm Westerwelle siguroi, se Gjermania edhe pas tërheqjes nuk do ta lerë vetëm Afganistanin. "Puna jonë për një të ardhme të mirë të Afganistanit nuk mbaron me kaq“, tha ministri. "Ne do ta vazhdojmë angazhimin tonë civil në Afganistan”. Gjermania i ka premtuar Afganistanit mbështetje për tre vitet e ardhshme për rindërtimin me një volum deri në 430 milionë euro në vit.
35 ushtarë gjermanë janë vrarë gjatë misionit në Afganistan
Mbyllja e bazës në Kunduz shënon një gurthemeltar në rrugën e tërheqjes së Bundeswehrit nga Afganistani. Në të ardhmen do të mbetet një trupë e vogël rezervë prej rreth 800 ushtarësh në kuartierin qendror gjerman në Masar-i-Scharif. Gjatë misionit në Afganistan deri më sot kanë gjetur vdekjen 35 ushtarë të Bundeswehrit, si pasojë e sulmeve apo shkëmbimeve të zjarrit, 19 të tjerë kanë vdekur aksidentalisht ose me vetëvrasje.
Angazhimi luftarak i NATO-s në malësinë e Hindukuzit përfundon në fund të vitit të ardhdhshëm. Më pas NATO do të vazhdojë t’i mbështesë vetëm me një mision këshillues forcat afgane të sigurisë. Kusht për këtë mision pauses është megjithatë krijimi i një statuti të trupës. Por deri tani lidhur me këtë nuk kanë mundur të bien dakord vendi drejtues i NATO-s SHBA-ja dhe qeveria afgane, kësisoj nuk përjashtohet as një tërheqje e plotë e trupave të huaja. Kjo për faktin se pa makinerinë gjigande të SHBA-së konsiderohet i pamundur një mision në Hindukuz.