Burg i përjetshëm në procesin për vrasjen për arsye nderi
13 Shkurt 2009I riu me origjinë afgane sipas Gjykatës së Landit në Hamburg, e ka vrarë me paramendim motrën e tij 16-vjeçare, në Maj të vitit të kaluar. Ahmad O. e pati qëlluar 23 herë me thikë motrën e tij Morsal në një parking.
Vendimi i së premtes (13.2.) nga gjykata përputhej plotësisht me kërkesat e prokurorisë. Sipas akuzës, Ahmad O. nuk ishte dakord me stilin perëndimor të jetesës së motrës së tij dhe për këtë arsye vendosi vrasjen e saj. Mbrojtja fliste për vrasje të paqëllimshme. I akuzuari, sipas mbrojtjes, gjatë grindjes me motrën në parking pati humbur toruan. Ekspertiza e një specialisti psikiatrie e mbështeste teorinë e mbrojtjes.
Vret vetëm se dyshonte për prostitucion të së motrës
Pyetja nëse bëhej fjalë për një vrasje të paramenduar apo ajo, ishte gjatë gjithë kohës në qendër të debateve në proces. Ahmad O. pati pranuar qysh në marrjet e para në pyetje kryerjen e aktit: në mbrëmjen e 15 majit 2008 Ahmad O. përmes një kushëriri, kishte kërkuar të takonte të motrën në një parking në lagjen St. Georg të Hamburgut, kinse për të biseduar. Më parë, ai e kishte parë motrën e tij Morsalin me disa djem të rinj në stacionin kryesor të trenit dhe kishte dëgjuar zëra të rremë, se motra e tij fitonte para me prostitucion.
Kur Morsali i përgjigjet pyetjes së vëllait nëse zërat janë të vërtetë me fjalët: "Kjo nuk është fare puna jote!", Ahmad O. e godet atë 23 herë me thikë. Të nesërmen në mëngjes ai dorëzohet në polici. Në procesin gjyqësor Ahmad O. u prononcua për aktin vetëm në fjalën mbyllëse dhe tha: "Nuk kam patur asnjëherë qëllim që ta vrisja." Por gjatë procesit ishte bërë e qartë se i akuzuari e kishte rrahur shumë herë Morsalin.
Zemërim i familjes afgane
Pas shpalljes së vendimit nga trupi gjykues, në sallë pati trazira. I akuzuari i drejtoi fjalë fyese Prokurorit, vëllai i tij bërtiti dhe u dëbua nga salla. Reagime të forta pati edhe nga pjesëtarë të tjerë të familjes.
Prindërve të Morsalit dhe Ahmadit, të cilët patën ardhur në Gjermani si imigrantë në fillim të viteve '90, u kishte dalë plotësisht nga duart edukimi i fëmijëve në botën perëndimore. Babai i Morsalit pritet të dalë vetë së shpejti përpara gjyqit nën akuzën e rrahjes së përsëritur të së bijës.