Burg të përjetshëm për vrasjen e gazetares Politkovskaja
9 Qershor 2014Organizatori i vrasjes së gazetares ruse Anna Politkovskaja dhe ai që qëlloi mbi të janë dënuar nga një gjykatë në Moskë me burgim të përjetshëm. Bashkëpunëtorët e tyre u dënuan me heqje lirie nga 12 deri 20 vjet. Gjykatësi Pavel Meljohin pa të dëshmuar përfshirjen e të akuzuarve në vrasjen e reporteres atëherë 48-vjeçare të gazetës kritike "Novaja Gaseta", bën të ditur agjencia shtetërore e lajmeve Itar-Tass.
Mbrojtja do t'i drejtohet Apelit
Prokuroria i kishte kërkuar dënimet pasi trupi asistues në gjykatë i pati shpallur fajtorë pesë të dyshuarit në maj. Mbrojtja kishte kërkuar shpalljen e pafajësisë për shkak të mungesës së provave dhe tani njoftoi se do ta apelojë vendimin e gjyqit.
Politkovskaja u vra në vitin 2006 para banesës së saj. Ngjarja ngjalli indinjatë të fortë në gjithë botën. Porositësit e vrasjes vazhdojnë të jenë të panjohur.
Dënimet e shqiptuara janë vetëm një "hap i vogël" në rivendosjen e drejtësisë, deklaroi oraganizata për të drejtat e njeriut Amnesty International. Edhe ky proces lë shumë pyetje të hapura, tha drejtuesi i Amnesty në Rusi, Sergej Nikitin. Vetëm pasi porositësit e vrasjes të bëhen të ditur mund të quhet i zbardhur krimi.
Familja Politkovskaja dhe aktivistët deklaruan se të dënuarit kanë zbatuar vetëm urdhërat. Aktivistët për të drejtat e njeriut dyshojnë se gjurmët e porositësve çojnë deri në qarqet qeveritare.
Shkelje e të drejtave të njeriut në Çeçeni
Politkovskaja ka qenë një kundërshtare e vendosur e shefit të Kremlinit, Vladimir Putin dhe gëzonte reputacionin e një gazetareje të patrembur dhe të angazhuar. Ajo pati zbuluar shumë shkelje të të drejtave të njeriut nga trupat ruse në Çeçeni. Për një pjesë të të paditurve ky është tashmë procesi i dytë pasi në procesin e parë nuk u arrit të provohej fajësia e tyre.