Burgje të ngjashme me Guantanamo edhe në Kosovë?
26 Nëntor 2005Afera mbi burgje ushtarake amerikane në Evropë mund të ketë pasoja të rënda për Rumaninë, e cila është aspirante për antarësim në BE. Zëdhënësi për sektorin e politikës së jashtme pranë Parlamentit Evropian, krist konservatori Elmar Brok, u shpreh për një gazetë gjermane se në rast se Rumania ka bashkëpunuar me të vërtetë në mënyrë kaq "çnjerëzore dhe joligjore me shërbimin sekret amerikan CIA", atëherë BE-ja do ta konsiderojë edhe njëherë vendimin mbi antarësimin e Rumanisë në vitin 2007, ndonëse të gjitha marrëveshjet për këtë antarësim janë nëshkruar tashmë.
Sipas mediave gjermane gjatë këtij viti ka pasur shpesh fluturime sekrete të CIA nga Guantanamo Bay i Kubës në Rumani dhe Poloni.
Ndërkohë gazeta franceze "Le Monde" shkruan se amerikanët kanë hapur një burg të ngjashëm me atë të Guantanamos në Kosovë. Sipas kësaj gazete përgjegjësi i Këshillit të Evropës për të drejtat e njeriut Alvaro Gil Robles, ka vizituar në shtator të vitit 2002 bazën ushtarake amerikane Camp Bondsteel, e cila ndodhet në jug të Prishtinës, dhe ka parë aty rreth 20 të burgosur të veshur me të njejtat uniforma ngjyrë portokalli, si të burgosurit e Guantanamos.
Po në këtë bazë Gil Robles pa se disa të burgosur mbaheshin mbyllur në kafaze të vogla druri, të rrethuara me tela me gjemba. I dërguari i Këshillit të Evropës Gil Robles, u shfaq tepër i shokuar mbi këtë fakt, ndërkohë që një përfaqësues i ministrisë së brendshme amerikane i siguroi atij se kushte të tilla të ngjashme ato të të burgut të Guantanamos do të hiqen nga përdorimi në Kosovë brenda vitit të ardhshëm.
Këshilli i Evropës ka vendosur tani të përdorë fotografi satelitore, për të gjetur burgje ushtarake amerikane sekrete në Evropë. Sipas këtyre fotografive mund të zbulohet lehtë nëse amerikanët u janë përmbajtur prezantimit të raportit të organizatës për të drejtat e njeriut Human Rights Watch, në të cilin qëndron numri i saktë i bazave ushtarake amerikane në Evropë që prej vitit 2002 e deri më sot, apo jo.