Charles Michel: Qasje e re e BE ndaj Ballkanit Perëndimor
25 Janar 2020Presidenti i ri i Këshillit Europian, Charles Michel, i drejtoi shpresat e Shqipërisë për hapjen e negociatave të pranimit këtë pranverë tek metodologjia e re zgjerimit, vijimi i reformave dhe një qëndrimi pro të Francës, pas miratimit të kësaj metodologjie.
Në vizitën e tij të parë zyrtare në Tiranë, të premten, (24.01) Charles Michel zbuloi se përqasja e re në metodologjinë e zgjerimit bazohet në tri shtylla kryesore. "Shtylla e parë është domosdoshmëria që kryetarët e qeverive të vendeve anëtare të bien dakord mbi mënyrën e kryerjes së procesit të zgjerimit, të reformave që duan vendet e BE, që procesi i zgjerimit të jetë i besueshëm dhe të ketë lidership politik. Komisioni Europian, (KE) do të formulojë së shpejti propozimin për modernizimin e parimeve dhe të procesit të zgjerimit, në përgjithësi.”, tha Michel në Tiranë, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin shqiptar Edi Rama.
Por Presidenti Charles Michel, paralajmëroi se propozimi pro i Komisionit të BE në Këshillin Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, (MV) do të jetë objekt debatesh mes vendeve anëtare dhe ky debat përbën edhe shtyllën e dytë të metodologjisë e re të zgjerimit. "Përsëri do ta kemi këtë debat në Këshillin Europian mbi bazën e propozimit që do të bëhet përsëri nga Komisioni Europian. Si President i Këshillit Europian do të inkurajoj afrimin e pikëpamjeve dhe do të inkurajoj Komisionin Europian që të vendosë”, tha në Tiranë Charles Michel.
Charles Michel solli në Tiranë një lajm të mirë: shtylla e tretë e metodologjisë së re të zgjerimit ka të bëjë me arritjen e një pakti mes vendeve anëtare për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik dhe social të BP.
"Është arritja e një pakti investimesh dhe rritjeje për Ballkanin Perëndimor, që do të mobilizojë të gjitha sferat e mundshme, që të inkurajohet zhvillimi ekonomik, që është një kusht kyç për avancimin e progresit social dhe ekonomik dhe avancimin e bashkëpunimit rajonal, e i cili mund të ndihmojë në 3 shtyllat", theksoi Charles Michel në Tiranë.
Kryeministri Rama këtë përqasje e konsideroi "jo vetëm në funksion të procesit të integrimit të mëtejshëm individualisht të vendeve, por edhe në funksion të fuqizimit të bashkëpunimit rajonal dhe të një qasjeje të re të Brukselit në raport me zhvillimin ekonomik dhe social të rajonit
BE ende pa unanimitet për zgjerimin
Presidenti i Këshillit Europian tha në Tiranë se "fati i Ballkanit Perëndimor duhet të jetë krejtësisht i kthyer drejt Europës”. Që Shqipëria t#i afrohet më tej këtij fati duhet "angazhim për të vazhduar reformat, modernizimin, mobilizimin për shtetin e së drejtës, për luftën kundër krimit të organizuar”, fusha ku Michel premtoi mbështetjen dhe bashkëpunimin me BE sidomos "për të bërë hapa përpara në javët e ardhshme dhe muajt e ardhshëm," duke lënë të kuptohet pranverën, ku janë përqëndruar shpresat e Shqipërisë për hapjen e negociatave. Por ai pranoi se Franca, që bllokoi hapjen e negociatave vitin e kaluar, ende nuk ka ndryshuar qëndrim.
"Si President i Këshillit Europian, them që sot nuk kemi unanimitet. Do të organizojmë mbledhje javët dhe muajt e ardhshëm, për të parë se si mund të punojmë bashkë, se si mund të kemi një pozicion unanim”, tha Michel në Tiranë.
Shpresa për të arritur një qëndrim unanim të 28 vendeve pro hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut këtë pranverë qendron në ”ambicien e përbashkët të 28 vendeve të BE-së, që konsiderojnë, se e ardhmja e Ballkanit duhet të jetë drejt BE-së, për të vazhduar, zgjeruar punën e bashkëpunimit të ngushtë, për të inkurajuar reformat”, tha Michel në Tiranë