1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koronavirusi i ndryshuar dhe 'izolimi' i britanikëve

23 Dhjetor 2020

Gjermania e disa shtete të BE kanë kufizuar transportin me Britaninë e Madhe, për shkak të variantit të ri të koronavirusit. Të mërkurën Franca i rinisi kontaktet me Britaninë e Madhe, por me kushte.

https://p.dw.com/p/3nA4f
Symbolbild Europa schottet sich von UK ab | Tower
Fotografi: Wolter/imago images

Në Berlin dhe në shtete të tjera të BE nuk besojnë se varianti i ri i virusit mund të pengohet të hyjë në BE, duke ndërprerë transportin me Britaninë e Madhe. Përpjekja për izolim synon vetëm ngadalësimin e përhapjes në Evropë të variantit të ri të koronavirusit, jo më tepër.

Azia, që e frenoi koronavirusin, me sukses më të madh se Evropa, nuk bëri gjë tjetër më mirë, veçse mbylljes drastike (dhe ndjekjes së kontakteve), që në krye. Këtë bëri edhe Gjermania, në valën e parë të infektimit. Varianti i ri i koronavirusit dihet që tashmë ka mbëritur në vende të tjera të Evropës, jo vetëm në Britaninë e Madhe.

Sipas virologut kryesor të Gjermanisë, Christian Drosten, varianti i ri i virusit ka mbërritur në Itali, Holandë, Belgjikë dhe në Danimarkë. Në Gjermani deri sot nuk është konstatuar, por nuk ka arsye të mendohet, që këtu nuk ka ardhur. Meqenëse ky mutacion i koronavirusit është 70 përqind më infektues se variantet e mëparshme, është e kuptueshme përpjekja për izolim sa më të madh nga burimi, nga Britania e Madhe.

Kushtet e Francës për qarkullimin me Britaninë e Madhe

Qytetarët e BE si dhe britanikët, si dhe shtetas të vendeve të tjera, por që banojnë në BE, që prej së mërkurës mund të rihyjnë nga Britania e Madhe në Francë. Dhe pjesërisht në Belgjikë. Kushti, është paraqitja e një testi negativ për infektimin me Covid-19. Testi nuk duhet të jetë më i vjetër se 72 orë dhe duhet të testojë edhe variantin e ri të koronavirusit. Ministri britanik i Transportit, Grant Shapps tha se në rajonin e Kentit, në kufi me Francën është dërguar një numër i mjaftueshëm testesh, që e tregojnë rezultatin brenda 30 minutash.

Edhe Belgjika rilejon, që prej së mërkurës, hyrjen në Belgjikë të njerëzve nga Britania e Madhe, me shtetësi belge ose me banim kryesor në Belgjikë. Brukseli lejon edhe udhëtimet me nevojë urgjente, që nuk mund të shtyhen.

Koronavirusi i ndryshuar dhe 'izolimi' i britanikëve - nga Auron Dodi
Kent, kufiri me FrancënFotografi: Gareth Fuller/empics/picture alliance

Kurse Gjermania vendosi prej së martës (22.12.), deri në 6 janar, një ndalim të përgjithshëm transportimi të udhëtarëve nga Britania e Madhe.  Kjo vlen edhe për Afrikën e Jugut, ku është konstatuar një mutacion i ri i koronavirusit.

Në të njëjtën kohë, shoqëria ajrore gjermane e fluturimeve Lufthansa nisi të mërkurën (23.12.) furnizimin me fruta e perime të supermarketeve britanike. 80 tonë fruta e perime priteshin të mërkurën të mbërrinin në aeroportin britanik Doncaster Sheffield në Anglinë e Mesme. Për shkak të bllokimit të kamionëve në kufi me Francën, shumë produkte ushqimore mund të prishen dhe të lindin vështirësi për tregjet britanike. 80 përqind të ushqimeve Britania e Madhe e importon nga BE.

Varianti i ri i koronavirusit dhe rreziku për njeriun

Sipas virologëve gjermanë, për këtë variant të virusit ka shumë gjëra të paqarta.  Dihet për momentin se ky variant ka pësuar 17 mutacione, pra ndryshime, nga varianti i zakonshëm që njohim.  Kjo i ka habitur shkencëtarët, pasi në përgjithësi, Covid-19 konsiderohet një virus i plogësht, që ndryshon relativisht pak.

Por kryesorja: sipas asaj që dihet deri tani, ky variant nuk e bën më të rëndë një infektim me Covid-19.  Kjo është e rëndësishme.

Shefi i Biontechut, firmës që shpiku vaksinën, Ugur Sahin tha se nuk pret që ky mutacion i virusit, me emrin B.1.1.7, ta bëjë vaksinën më pak të efektshme.  Prandaj për momentin ai nuk e sheh të nevojshme përshtatjen e vaksinës. Deri tani vaksina u ka rezistuar varianteve të tjera të virusit.

Koronavirusi i ndryshuar dhe 'izolimi' i britanikëve- nga Auron Dodi
Fotografi: Tolga Akmen/Getty Images/AFP

Për çdo rast, BionTechu ka nisur testime. Dhe për dy javë e di me siguri, nëse duhet të përshtatet vaksina.

Mendohet se mutacionet e shumta të variantit të ri të virusit janë krijuar te një pacient i sëmurë për kohë të gjatë me virusin, për shkak të një imuniteti të dobët te ai pacient.  Virusi ka qëndruar në trupin e pacientit gjatë, në sajë të imunitetit të tij të dobët dhe ka bërë aty shumë mutacione, për t'i shpëtuar mbrojtjes së trupit.  Kështu që virusi besohet se ka dalë nga ai pacient dhe është përcjellë tek të tjerë më i aftë për të mbijetuar se më parë.

A u krijua virusi në Britaninë e Madhe?

Sipas shkencëtarëve gjermanë, fakti që virusi u konstatua në Britani dhe jo diku tjetër mund të ketë të bëjë me analizat më rrënjësore për virusin në Britani.  Me faktin se Britania bën sekuencim gjenetik të virusit më shumë se çdo shtet tjetër.  Britanikët kanë bërë sekuencim gjenetik për 120.000 prova, shifër 100 herë më e lartë se numri i provave në mjaft shtete të tjera të BE. Varianti i ri i virusit u konstatua në 20 shtator në Britaninë e Madhe, por shumë ai u përhap vetëm në dhjetor, në Anglinë e Jugut.  Gjithsesi, në Britaninë e Madhe vazhdojnë vaksinimet me vaksinën e Biontech/Pfizerit, që mendohet se e lufton edhe mutacionin e ri.  Deri tani, në Britaninë e Madhe janë vaksinuar mbi 500.000 vetë.

Të mërkurën (23.12.) nisi edhe në Gjermani shpërndarja e vaksinave në qendrat e vaksinimit. Firma Biontech po kërkon qendra të tjera për ta prodhuar vaksinën, që të rritet sa më shpejt numri i vaksinimeve.  Në 6 janar në BE pritet të licensohet edhe vaksina e Modernas.

Këto janë rreze shprese në prag të kësaj Krishtlindjeje, e ndryshme nga vitet e tjera.