Dënohet sulmi ndaj konvojit të OKB-së në Darfur
10 Janar 2008Përfaqësuesi sudanez i Kombeve të Bashkuara hodhi poshtë akuzat e sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara se sulmi është kryer nga forcat qeveritare.
Një zëdhënës i Forcave të Armatosura të Sudanit është shprehur: 'Ushtria nuk ka shkrepur asnjë plumb ndaj trupave të UNAMID-it. As gabimisht e as me qëllim. Krejt çfarë është informuar lidhur me këtë rast nuk është e vërtetë'. Sipas të dhënave të agjensisë së lajmeve AP, ky oficer është cituar në disa gazeta të cilat botohen në Sudan. Zëdhënësi i ushtrisë megjithatë nuk ka mundur të jap asnjë sqarim se nga kush dhe përse janë sulmuar ushtarët e UNAMID-it.
Menjëherë pas publikimit të lajmit qeveria në Khartum ka siguruar Kombet e Bashkuara se do të bashkëpunojë për sqarimin e rastit. Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon dënoi ashpër sulmin ndaj trupave paqësore. Qeveria sudaneze duhet të pengojë në të ardhmen incidentet e tilla dhe të përmbush garancitë e premtuara të sigurisë, sqaroi ai në Nju Jork.
Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara konvoji, i cili kishte shenja të qarta të OKB-së është sulmuar të hënën në mbrëmje sapo ka rënë errësira. Se kush qëndron prapa sulmit ende mbetet e paqartë. Si pasojë është plagosur një person. Po ashtu është shkatërruar një cisternë e trupave të Kombeve të Bashkuara dhe është dëmtuar rëndë një automjet i blinduar.
Sulmi është kryer në rajonin kufitar me Çadin. Sipas të dhënave të OKB-së atje është dashur të ndërpriten shumica e fluturimeve transportuese me helikopterë. Ekziston droja që ushtarët helmetkaltër mund të implikohen në luftimet mes ushtrisë sudaneze, rebelëve të Darfurit dhe njësive ushtarake të Çadit.
Në kuadër të trupave të UNAMID-it në Darfur nga fundi i dhjetorit të vitit të kaluar veprojnë 7000 ushtarë. Deri në fund të vitit ky kontigjent pritet të ketë gjithsej 26 mijë ushtarë dhe policë.