1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

8000 "rrezikues" në Sistemin e Informimit të Shengenit

Bernd Riegert1 Prill 2016

Shtetet e BE-së duhet ta luftojnë së bashku terrorin, kërkon prej vitesh i ngarkuari i BE-së kundër terrorit, Gilles de Kerchove. Në intervistë me Deutsche Welle-s ai shpjegon sfidat e bashkëpunimit europian.

https://p.dw.com/p/1INZg
Anti-Terror-Beauftragter der EU
Gilles De Kerchove, i Ngarkuari i BE-së kundër TerroritFotografi: picture alliance/dpa/E. Lalmand

Deutsche Welle: Para se terroristët të sulmonin më 22 mars Brukselin, Turqia, Holanda dhe SHBA ishin përpjekur të ofronin informacione të rëndësishme për të kthyerit e dyshuar nga lufta në Siri. Por asgjë nuk funksionoi si duhet. Pse është kaq e vështirë për shtetet europiane të shkëmbejnë informacionet që ndoshta janë vendimtare?

Gilles de Kerchove: Është shumë herët të thuhet se kush është fajtori, Turqia, Holanda apo Belgjika. Ne duam t'i gjejmë vetë, ku janë pengesat. Ato mund të jenë të natyrës teknike, ligjore, por edhe kulturore. Për këtë po punojmë me intensitet të lartë.

Me sa dimë vetëm 5 shtete të BE-së shkëmbejnë informacionet e shërbimeve sekrete për terroristët. Puna juaj është që të koordinoni dhe të arrini që shtetet europiane të bashkëpunojnë më shumë. Çfarë mund të bëni ju konkretisht?

Njëra rrugë është që këto gjëra t'i bëjmë publike. Po të lexoni raportin tim të fundit do të shikoni të gjitha faktet. Shpresoj që disa shtete të kuptojnë se duhet të bëjnë më shumë. Përparime ka. Le të marrim për shembull numrin e njoftimeve alarmuese të shërbimeve sekrete që futen në Sistemin e Informimit të Shengenit (SIS). Aty në muajt e fundit ju nuk gjeni vetëm më 1000, por ndërkohë 8000 emra të të ashtuquajturve "rrezikuesit". Por sfida e vërtetë është reagimi shumë i shpejtë.

Ju përmendët sistemin e Shengenit. Por a e përdorin në mënyrë të mjaftueshme shtetet e BE-së atë për të mbrojtur si duhet kufijtë e jashtëm?

Keni të drejtë që në kufijtë e jashtëm duhet të veprojmë më shumë në mënyrë sistematike. Krerët e qeverive dhe vendeve të BE-së e kanë vendosur këtë, tani po përfundon edhe kuadri ligjor. Kemi nevojë për rregullore juridike, por edhe infrastrukturë. Të gjithë ishujt në Greqi duhet të lidhen me sistemin SIS dhe të shkëmbejnë informacionet. Jam optimist se në pak muaj do të kemi mundësi të kontrollojmë 100% kufijtë e jashtëm.

Belgjika është kritikuar shumë këto ditë. A është Belgjika një rast i veçantë?

Nuk do të thoja kështu. Të gjithë përmendin lagjen e Brukselit, Molebeek, por ministri francez tha se ka një radhë Molebeeks edhe në Francë. Me që ra fjala vetëm dje (30.03, shën.red.) u arrestua në Francë një person me një arsenal armësh dhe lëndë shpërthyese. Një francez. Duhet ta kemi të qartë, se ky është një kërcënim global. Mund të ndodhë edhe në Gjermani apo në Britaninë e Madhe. Ka ndodhur në Turqi, në Liban, në Jordani, në Egjipt. Pra Belgjika nuk është vetëm.

Por a nuk po zgjat shumë ajo që duan të arrijnë europianët? A nuk e humbisni nganjëherë durimin? Sa zile zgjimi duan të dëgjojnë akoma europianët?

Kemi bërë përparime. Them gjithmonë se Edgar Hoover-it i janë dashur 30 vjet për të ngritur në këmbë FBI-në, Federal Bureau of Investigation. Tek ne institucioni i policisë europiane, Europol ka vetëm rreth dhjetë vjet që merret me mbrojtjen nga terrori. Por varet nga shtetet anëtare. Ne duhet të investojmë më shumë tek Europoli, sepse të gjithë përfitojmë nga ai. Për shembull interneti: Po qe Belgjika e vogël flet e vetme me gjigandët Facebook, Google apo të tjerë për dekodifikimin e informacionit nuk arrin shumë. Por kur ne veprojmë të bashkuar, mund të arrijmë më shumë për të siguruar të dhëna digjitale dhe të ndalim propagandën e terroristëve.

Belgjika dhe Franca përpiqen të shkatërrojnë rrjetin aktual terrorist. A mund të thuhet se do të jemi më të sigurtë, kur të marrë fund ky kërcënim?

Jo, për fat të keq. Mendoj se sa më shumë presion ushtarak të ndjejë Shteti Islamik në Siri dhe Irak aq më shumë ata do të përpiqen të bëjnë atentate terroriste në perëndim. Organizata terroriste kërkon të tregojë suksese, por nga ana ushtarake tani ata janë në defensivë. Kjo do të thotë që luftëtarët, që kanë shkuar nga Europa tek tek "Shteti Islamik" mund të kthehen në Europë, më parë se e kemi pritur ne. Udhëheqja e IS-it mund të lëvizë nga Siria në Libi. Kërcënimi vërtet mbetet shumë i madh. Mund të them se terrorin asnjëherë nuk mund ta ndalosh 100%. Po qe se dikush kërkon të hedhë veten në erë në qendër të Berlinit, zor se e ndalon dot.

Gilles de Kerchove (59 vjeç) është nga viti 2007 i Ngarkuari i Bashkimit Europian kundër Terrorit. Juristi belg më parë ka pasur funksione në qeverinë belge dhe Komisionin Europian.