Detyra të pazgjidhshme para vetes
2 Maj 2013Kur vjen puna tek Italia, mendimet e ekspertëve janë të ndryshme. Për ekonomistin amerikan Nourel Roubini, ekonomia e tretë për nga madhësia në eurozonë tashmë ka falimentuar. Ndërsa eksperti gjerman i ekonomisë, Wolfgang Franz thotë: "Italia ka një ekonomi shumë solide dhe me kapacitet."
Kush ka të drejtë? Të dy, thotë presidenti i tregtisë së jashtme, Anton Börner. "Italia si shtet ka falimentuar. Italia si vend është më e pasur se RF e Gjermanisë. Në provincat veriore si Lombardia ose Piemonti, të ardhurat mesatare janë shumë më të larta se mesatarja e BE".
Treg pune i ngurtësuar
Por në vendin e emrave të mëdhenj si Armani ose Ferrari, sipërmarrjet kanë arritur suksese, jo për shkak të strukturave ekzistuese politike dhe ekonomike, por megjithë ekzistencën e tyre. Shembulli i tregut të punës. "Po të marrësh në punë më shumë se 15 bashkëpunëtorë, atëherë ti nuk ke asnjë mundësi që t'u përshtatesh goditjeve të konjukturës, sepse nuk mund të pushosh asnjërin nga puna," i thotë Anton Börner Deutsche Welle-s. Rrjedhoja: sipërmarrjet druhen të marrin në punë punonjës të rinj. Dhe nga kjo vuajnë para së gjithash të rinjtë. Më shumë se një në tre vetë nën moshën 25 vjeç nuk gjen punë në Itali. Papunësia e përgjithshme ka arritur një shifër rekord prej njëmbëdhjetë përqind. Mbrojtja e fortë nga pushimi nga puna për sipërmarrje prej 15 punonjësish ka bërë që shumë të zgjedhin të mos investojnë dhe të mbeten të vegjël.
Pak investime
Por që në vendin e çizmes nuk investohet, kjo ka edhe një arsye tjetër, thotë njohësi i Italisë, Börner: "Ligjet përkatëse janë në një masë të tillë jotransparente, pjesërisht ato janë në kundërthënie me njëra-tjetrën, sa të duhet të presësh pafundësisht për një leje. Dhe pa leje nuk mund të bësh asgjë." Kur e merr lejen pas dy-tri vjetësh, deri atëherë tregu ndoshta ka ndryshuar. Pra të duket më mirë që të mos investosh fare.
Në një kohë kur firmat gjermane investojnë rreth pesë, gjashtë përqind të xhiros për kërkimin dhe zhvillimin, kjo pjesë te sipërmarrjet italiane është nën një përqind. Nuk është për t'u çuditur që aftësia për konkurencë e ekonomisë italiane bën hapa drastikë pas. Edhe borxhi i shtetit do të arrijë këtë vit 130 përqind të rendimentit ekonomik të vendit - kaq sa kurrë më parë në historinë e vendit.
Pak interes për të mirën e përbashkët
Por shteti italian i zhytur në borxhe duket se u shkakton pak dhimbje koke italianëve, mendon Anton Brückner. "Çdo klasë mendon për vete dhe nuk dëshiron të bëjë asnjë lëshim. Mungon gatishmëria për të arritur kompromise, të cilat ta çojnë përpara vendin."
Kjo është edhe arsyeja se pse qeveria e re e Romës e bën pak euforik njohësin e Italisë. "Ajo nuk do të jetë stabile, sepse me ekipin e mbledhur aty janë pranë njëri-tjetrit edhe zjarri, edhe uji. Kjo nuk mund të funksionojë."
Autor: Zhang Danhong/ Auron Dodi
Redaktoi: Mimoza Kelmendi