Dhjetëvjeçari i Merkelit – Momentet më të rëndësishme
E kujt ia merrte mendja? Ajo ishte gruaja e tranzicionit, pas Helmut Kohl, në CDU. Para 15 vitesh ajo u bë kryetare e partisë, që prej 10 vitesh ajo qeveris Gjermaninë. Dhe epoka e Merkelit vazhdon.
Betimi i parë
„Unë dua t’i shërbej Gjermanisë.“, premtoi Angela Merkel, kur shpalli kandidaturën për kancelare të Gjermanisë. Pas një fitoreje të ngushtë në zgjedhjet e Bundestag-ut, më 22 nëntor 2005 dita erdhi: Merkel u betua para Bundestag-ut si gruaja dhe njëkohësisht gjermano-lindorja e parë në postin e kancelares. Kështu ajo u bë kryeministre e një koalicioni të madh qeverisës midis CDU/CSU dhe SPD.
Merkeli dhe miku nga Tibeti
Fillimet e Merkelit u karakterizuan nga qendrimi i tërhequr dhe stili drejtues disi presidencial. Trazimet e para ajo i solli qysh në vitin e dytë të qeverisjes, ku u takua me Dalia Lama-n, gjë që ngjalli pakënaqësi në Pekin dhe ndikoi në marredhëniet Gjermani - Kinë. Merkel i kishte marrë përsipër të gjitha dhe dukej se donte të krijonte profilin e saj si aktiviste për të drejtat e njeriut.
Kush ka frikë nga qeni i Putinit?
Për Merkelin thuhet se është një njeri racional dhe që di ta ruajë qetësinë. Kur ajo u prit në rezidencën e Vladimir Putinit në Soçi, ky, me sa dukej, donte të vinte në provë kufijtë e kancelares. Kështu Presidenti i Rusisë gjeti pikën e dobët të Merkelit: Kancelarja ka frikë nga qentë. E megjithatë Putin e lë të lirë labradoren e zezë Koni që t’i vijë vërdallë Merkelit.
Paketat e shpëtimit
Merkel di të ruajë gjakftohtësinë – çka shpesh e ndihmon atë në raste krizash. Kur më 2008 tregjet financiare pësojnë kolaps dhe kriza prek edhe ekonominë gjermane, ajo hidhet në veprim. Merkel luan rolin kryesor në hartimin e paketave të shpëtimit të BE. Ajo profilizohet si menaxhere krizash. Gjermania del thuajse e pacënuar. Masat e Merkelit i ndiejnë të tjerët: sidomos grekët e spanjollët.
Me partnerin e dëshiruar në mandatin e dytë
Megjithëse në zgjedhjet e 2009-s të Bundestag-ut partitë e Unionit Konservator (CDU/CSU) për herë të dytë morën rezultatet më të ulta në historinë e vet, 27 shtatori për Angela Merkel ishte një triumf. Pas një koalcioni të padëshiruar me SPD-në, tani ajo mund të qeverisë me partnerin e saj të preferuar: FDP-në liberale.
Ajo ia pret shkurt
Merkel, për të cilën, si fizikante, thuhet se arsyeton duke u nisur nga fundi, nuk e kishte parashikur katastrofën bërthamore në vendin e teknologjisë më të zhvilluar, Japoni. Avaria në Fukushima bëri që ithtarja e energjisë bërthamore më 2011 brenda natës të b ëhet kundërshtare e saj. Zgjatjen e afatit për reaktorët atomikë në vend, të miratuar pikërisht nga ajo vetë, Merkel e ktheu mbrapsht.
Burri përkrah saj
Kush do e njihte atë? Kush e njeh zërin e tij? Në dhjetë vitet e saj si kancelare, bashkëshorti i Merkelit ka qëndruar thuajse jashtë vëmendjes. Profesori i kimisë fizike dhe teorike në Humboldt Universität në Berlin dhe Angela Merkel u martuan në vitin 1998. Kur bashkëshortja e tij është në krye të detyrës, ai qëndron diskret, në sfond. Kurse privatisht, nganjëherë funksionon edhe anasjelltas.
NSA: Miqësia në krizë
Një aferë pikante. Pikërisht miku më i ngushtë, SHBA, përgjon politikanë gjermanë të nivelit më të lartë. Shërbimi sekret amerikan nuk ndalet as para celularit të kancelares. Për shumë kohë, Merkel nuk flet fare mbi zbulimet rreth telefonatave të përgjuara nga zyra e saj. Për kreun e qeverisë veprimi është i pafalshëm. Në kujtesë ka mbetur fjalia e saj: „Përgjimet mes miqve, kjo nuk shkon fare!“
Pacienti grek
Komuniteti i fansave të Merkelit në mbarë botën është i madh, por në Greqi jo dhe aq. Asnjëherë më parë nuk ishte hasur me qëndrime aq armiqsore, sa më 2014, në kulmin e krizës financiare dhe të borxheve të Athinës. Figura të vjetra armiqsore u ringjallën, por kancelarja qëndron e vendosur: kursime, reforma, shkurtime, ishin kërkesat e saj kundrejt qeverisë së Athinës.
Njëhere e emocionuar
Angela, e përmbajtura, e kursyera në gjeste dhe mimikë, në finalen e Kampionatit Botëror të Futbollit në Rio, i zhvesh të gjitha kufizimet protokollare dhe brohoret së bashku me Presindentin gjerman Joachim Gauck. Ajo është në kulmin e popullaritetit të vet, edhe kombëtarja e futbollit. Dy që përcaktojnë imazhin e gjermanëve në botë.
Ne do t’ia dalim, apo jo?!
A e ka gjetur Merkel temën e saj? Ligji për azilin nuk përcakton kufij, thotë Kancelarja, në kohën kur me qindra-mijëra refugjatë vijnë në Gjermani përmes Ballkanit. „Ne do t’ia dalim!“, është motoja e Merkelit në krizën e refugjatëve. Ajo ka një plan, thotë Merkel. Por shumë gjermanë ndërkohë pyesin: „A do ia dalim?“ Pyetja mbetet e hapur.
Po tani, zonja Merkel?
E premte, data 13 – një masakër në nëntor. Franca është në gjendje të jashtëzakonshme. Angela Merkel u siguron fqinjëve „çdo lloj mbështetjeje“. Frika ndaj terrorit po përhapet. S’ka asnjë dyshim: Në jubileun e 10-të të qeverisjes, kancelarja gjermane ndodhet para sfidës së saj më të madhe.